Katër të arrestuar në aksionin kundër fajdeve e bixhozit, Policia publikon pamjet dhe detaje të tjera

Aktuale

Katër të arrestuar në aksionin kundër fajdeve e bixhozit, Policia publikon pamjet dhe detaje të tjera

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 10:45 Përditësuar në ora: 11:39 më 19.09.2024
Foto ilustrim

Publikohen pamjet nga aksioni kundër fajdeve e bixhozit, katër persona u prangosën

Një operacion policor u realizua sot në Prishtinë, kundër fajdeve dhe bixhozit.

Në këtë operacion të udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, u prangosën katër persona: A. A., S. A., E. G. dhe A. G, të cilët pas intervistimit u ndaluan në mbajtje për 48 orë.

Ata dyshohen për veprat penale ‘fajde’ dhe ‘organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’.

Aty u konfiskuan po ashtu edhe shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.

“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Lidhur me këtë zhvillim Klankosova.tv ka raportuar më herët sot.

Konfirmohet aksioni kundër fajdes në kryeqytet, katër të arrestuar

Një aksion kundër fajdes është duke u zhvilluar në Prishtinë.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

“Janë arrestuar katër persona”, tha Gashi shkurt.

Më herët u bë e ditur se aksioni po zhvillohet në “Kodrën e Trimave” në kryeqytet.

Aksion kundër fajdes në Prishtinë

Drejtoria kundër Krimit të Organizuar dhe ajo për Hetimin e Krimeve të Rënda janë duke zhvilluar një aksion policor në rajonin e Prishtinës, për kapjen e personave të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes.

Siç raporton media, deri më tani janë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë vepër penale.

Në këtë aksion janë duke marrë pjesë njësi të shumta.

Media ka kontaktuar me policinë dhe është në pritje të një përgjigje

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat