I hiqen masat mbrojtëse dëshmitarit Halim Berisha

Aktuale

I hiqen masat mbrojtëse dëshmitarit Halim Berisha

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 10:59
Halim Berisha

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit Halim Berisha, me kërkesë të tij i janë hequr masat mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kërkesa e dëshmitarit u parashtrua nga avokati i tij, Kadri Osaj, për çka u mor vendim në sesion privat për publikun.

Kurse, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ky dëshmitar ishte intervistuar si i dyshuar në janar të 2020-ës për çka vetë dëshmitari kishte hequr dorë me shkrim nga e drejta e tij për të pasur avokat.

“ZPS-ja e ka intervistuar vërtetë si të dyshuar dëshmitarin në janar të vitit 2020 dhe kjo është bërë në përputhje me rregullat e Rregullores dhe nenin 38 të rregullës 32 dhe 34. U informua qartë, për të drejtat e tij si i dyshuar që të mosfliste dhe të kishte një avokat. Pra, ai hoqi dorë me shkrim nga kjo e drejtë në përputhje me rregullën 33 (3) dhe mbrojta u informua përkatësisht me këtë”, tha prokurori, duke shtuar se dëshmitari ka hequr dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.

Ky dëshmitar është i 87-ti në këtë proces. Dëshmita e tij do të zgjas përafërsisht një ditë.

Sipas gjyqtarit Charles Smith III, pyetjet e ZPS-së parashikohet që të zgjasin një orë, kurse ekipet e mbrojtjes dy orë për kundërpyetjet e tyre.

Ndryshe, katër të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes ashtu si dëshmitari i sotëm. Lidhur me këtë, kryegjyqtari tha se për këtë ka leje.

Po ashtu, është e rëndësishme të përmendet se nuk ka ndonjë njoftim nga Specialja se a ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 86-të, pasi edhe seanca e djeshme ku u dëgjua dëshmia e tij përfundoi në sesion privat.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat