Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, të cilat sipas tij i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016.
Ndërsa sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë, fushë që është bërë çështje e sigurisë kombëtare.
Sipas Hotit qytetarët duhet ti bëjnë një varg pyetjesh për kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Postimi i plotë i Avdullah Hotit:
Në anën tjetër, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, të cilat i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016. Së fundmi, Kosova po kërcënohet nga vendet kryesore të BE-së me përjashtim nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për integrim evropian. Po ashtu, kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës.
Çdo qytetar sot duhet të pyes Kurtin dhe Osmanin: Përse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila pritej të zgjidhte problemin e furnizimit me energji në Kosovë? Përse u anulua projekti i gazit? Përse nënçmohej partneriteti me SHBA për gaz duke iu referuar “aleanca e gypave”? Përse nuk u nis me amerikanët hekurudha për Durrës? Përse nuk u zbatua “Marrëveshja Kosovë-SHBA e 31 dhjetorit 2020 për nxitjen e investime”, e cila pritej të mobilizonte investimet amerikane në Kosovë? Kujt i përshtatet moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga ana e Kosovës?
Cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues për secilin qytetar që e do Kosovën në BE dhe NATO, e në partneritet të ngushtë me SHBA-në.
Më 9 shkurt 2025 qytetarët vendosin për qeverisjen e ardhshme. Kjo është dita kur duhet të marrë fund kjo qeverisje e dëmshme për Kosovën, si dhe për aleatët e Kosovës që duan ta shohin popullin e Kosovës pjesë të familjes së popujve në BE dhe NATO.