Shala nga IKD-ja: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

Aktuale

Shala nga IKD-ja: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 11:24
Ilustrim

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit, përkundër faktit se gjykatat janë adresa përfundimtare ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për kontestet e tyre.

Shala gjatë publikimit të raportit “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”, tha se për ta orientuar drejtësinë kah qytetari, financimi adekuat është thelbësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se mungesat në gjyqësor kanë bërë që organet e drejtësisë nuk kanë mundur t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve. Sipas tij, kjo i atribuohet pamundësisë së gjykatës për të zgjidhur të paktën aq lëndë sa ka pranuar, çfarë ka çuar në një rritje të vazhdueshme të numrit të lëndëve civile të pazgjidhura.

Sipas të dhënave të prezantuara, deri në fund të vitit 2023, numri i lëndëve civile kontestimore të pazgjidhura ka arritur në 112 mijë e 623.

Në gjysmën e parë të vitit 2024, Shala tha se numri i lëndëve civile kontestimore të zgjidhura është rritur dukshëm. Megjithatë, për shkak të rritjes së numrit të lëndëve hyrëse, rezultati ka mbetur i pandryshuar. Gjyqësori përsëri nuk ka arritur të zgjidhë aq lëndë sa ka pranuar. Rrjedhimisht, numri i lëndëve civile kontestimore është rritur në 123 mijë e 243 lëndë të pazgjidhura.

Shala tha se krahas rritjes së numrit të lëndëve duhet të shtohet edhe rritja e gjyqtarëve nëpër gjykata. Ai tha se numri i gjyqtarëve në sistemin gjyqësor është rritur për çdo vit dhe mbështetja buxhetore për këtë nismë konsiderohet shumë pozitive, sepse siguron që gjyqësori të ketë resurse adekuate për t’i shqyrtuar lëndët gjyqësore brenda një afati kohor të arsyeshëm.

“Aktualisht në gjykatat e Kosovës janë gjithsej 434 gjyqtarë. Në mesin e tyre, 367 gjyqtarë kanë zgjidhur lëndë gjatë vitit 2023, ndërsa 145 gjyqtarë janë caktuar posaçërisht në divizionet civile të departamenteve të përgjithshme të gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit. Megjithatë, që nga viti 2018, numri i lëndëve civile është dyfishuar”, u shpreh ai.

Hulumtuesi i IKD-së, shtoi se në kërkesën buxhetore për vitin 2024, KGjK-ja ka kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve për 30 pozita. Kostoja buxhetore për miratimin e këtij propozimi është 512 mijë e 568 euro. Por, kjo kërkesë sipas tij, është refuzuar nga Kuvendi gjatë miratimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.

Veç mungesës së gjyqtarëve, ai tha se dispozita ligjore që çdo gjyqtarë të ketë një bashkëpunëtor profesional nuk është përkrahur me buxhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat