Kurti mori pjesë në drekën e punës në Bruksel
Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë sot në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Kurti fillimisht uroi von der Leyen për rizgjedhjen e saj si presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.
Ai tha se zgjerimi i BE-së, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në BE dhe t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim, si dhe largimin e masave restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta.
Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.