Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka asgjësuar 21 ton peshk të kontaminuar me parazitë të llojit ‘Anisakis’.
Sipas njoftimit, ekipet inspektuese të mjekësisë veterinare të AUV-së, gjatë kontrolleve fizike dhe organoleptike, kanë zbuluar shenja të pranisë së parazitëve në peshk të ngrirë.
Në bazë të Ligjit për Veterinarinë dhe Ligjit për Ushqimin, peshku u largua menjëherë nga tregu dhe u bllokua për analiza të mëtejshme laboratorike.
Pas konfirmimit të prezencës së parazitëve, AUV vendosi që peshku i kontaminuar duhet të kthehet në vendin e origjinës ose të asgjësohet.
“Për shkak të pamundësisë së kthimit, u asgjësuan 21,380 kg peshk i llojit merluc, i cili nuk përmbushte standardet e nevojshme për konsum publik”, thuhet në njoftim.
Procesi i asgjësimit u krye nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, ndërsa agjencia ka deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e konsumatorëve duke mos lejuar produkte të papërshtatshme për tregun.