Bashkëshortja e njërit prej të akuzuarve thotë se nga mediat ka kuptuar për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Aktuale

Bashkëshortja e njërit prej të akuzuarve thotë se nga mediat ka kuptuar për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 20:50
Pamje nga seanca

Bashkëshortja e të akuzuarit, Jeton Vllasaliu, në cilësinë e dëshmitares, Nadire Gashi, deklaroi se për zhdukjen e tani të ndjerit Bedri Rexhepi kishte kuptuar nga mediat. Ajo tha se për këtë çështje kishte biseduar edhe me të akuzuarin. 

Këtë deklarim dëshmitarja e bëri të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

“Unë më së shumti jam njoftuar në bazë të mediave. Më ka dhembur shumë… kam biseduar, unë edhe nga Jetoni e kam kuptuar që Bedriu është zhdukur”, deklaroi dëshmitarja Gashi.

Tutje, dëshmitarja shtoi se kur bashkëshorti i saj, Jetoni, dhe kunati i saj, Nexhati, u arrestuan, ajo nuk kishte dijeni dhe nuk kishte asnjë informacion lidhur me këtë rast.

E pyetur nga prokurori Armend Hamiti, dëshmitarja ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës që kishte dhënë në Prokurori se Jeton Vllasaliu natën kritike kishte dalë për të takuar një person për një tender.

Gashi tha se qëndron pranë kësaj deklarate, duke shtuar se këtë me siguri e kishte kuptuar nga i akuzuari Jetoni.

“Po qëndroj, ka kaluar një kohë e gjatë… me siguri ma ka thënë Jetoni, se nuk mund ta supozoj vetë pa më thënë”, tha dëshmitarja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, në këtë seancë dëshmoi edhe dëshmitari Sali Salihi, duke deklaruar se të akuzuarin Jeton e kishte njohur, pasi që ky i fundit kishte punuar te një kushëri i dëshmitarit Salihi, ndërsa të akuzuarin tjetër, Nexhatin, nuk e kishte njohur.

Tutje, dëshmitari Salihi shtoi se nuk kishte dijeni për rastin.

Ndërsa, një nga palët e dëmtuara, i dëmtuari Vedat Rexhepi, kërkoi që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë në një datë tjetër, për arsye se nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i tyre, avokati Besnik Berisha.

Për shkak se pyetjet që i kishin përgatitur për dëshmitaren Gashi, palët e dëmtuara kërkuan që t’i bënte vetë mbrojtësi i tyre, avokati Berisha.

Pala e dëmtuar Rexhepi tha se arsyeja e mungesës së avokatit Berisha ishte për arsye shëndetësore.

Lidhur me kërkesën e palës së dëmtuar, prokurori Hamiti nuk pati kundërshtime, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, avokatët Ndrec Dodaj dhe Shemsedin Piraj, gjatë kundërshtimit, avokatit Piraj iu tërhoq vërejtja nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi.

“I tërhiqet vërejtja avokatit Shemsedin Piraj, i cili e ndërpreu kryetaren e trupit gjykues përderisa ajo i njoftonte palët në procedurë për arsyen”, tha gjykatësja Bytyqi.

Gjykatësja mori aktvendim dhe ndërpreu seancën. Andaj, në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, për të vazhduar në një datë tjetër.

Ndryshe, seancat 5 tetorit 2023 , ajo e 30 nëntorit 2023 dhe seanca e datës 23 janar 2024, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat