Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka deklaruar se familja Jashari nuk ka ndërhyrë asnjëherë në konkursin për Projektin Memorial “Adem Jashari”.
Ai në RTV Dukagjini, tha se përkundrazi familja Jashari i ka mbështetur institucionet.
“Absolutisht asnjë ndërhyrje. Në përbërjen e komitetit ndërministror sipas ligjit bën pjesë edhe përfaqësuesi i familjes Jashari. Asnjëherë asnjë ndërhyrje nga familja Jashari, përkundrazi mbështetje maksimale për institucionet”, tha ai.
Tutje ai tha se konkursin e ka fituar operatori që “është shpallur i përgjegjshëm” dhe i ka zbatuar rregullat.
Çeku dha shpjegimin e tij pse u shpall fitues një operator që ishte më i shtrenjtë se të tjerët.
“Operatori që u shpall i përgjegjshëm, kur i hapet oferta financiare, del që ata kanë ofertu më çmim më të lart se që u shpall procedura. Kur e kemi shpall procedurën në fillim, në kodin buxhetor të kompleksit memorial nuk kishte buxhet të mjaftueshëm. Në këto raste ekziston një instrument i jashtëzakonshëm që është në diskrecion të MF-së. Ai e lëshon një garanci me nis procedurën, thotë që në momentin që krijohet shpenzimi ne e mbulojmë atë shpenzim. E kemi përdor këtë mekanizëm që është ligjor, vetëm për të fitu në kohë”, tha ai.