Kurti kujton doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius: U vra me gjakftohtësi nga autorë të panjohur në veri të Kosovës

Aktuale

Kurti kujton doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius: U vra me gjakftohtësi nga autorë të panjohur në veri të Kosovës

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 21:36
Kurti kujton doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius

Kryministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës 11  vjet më parë në veri të Mitrovicës.

Kurti në një postim në ‘X’ thotë se sakrifica e Šenavičius pasqyron guximin e heronjëve kombëtar si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.

“Sot shënojmë njëmbëdhjetë vjet nga humbja tragjike e Audrius Šenavičius, një doganier nga Lituania, i cili u vra me gjakftohtësi nga autorë të panjohur në veri të Kosovës. Sakrifica e tij pasqyron guximin e heronjve tanë kombëtarë si Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, duke na kujtuar angazhimin për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Ndërsa e kujtojmë Šenavičius në këtë përvjetor solemn, nderojmë kujtimin e tij dhe festojmë shërbimin e tij të palodhur për vendin tonë dhe popullin e tij. Trashëgimia e tij vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, shkroi Kurti.

Kujtojmë se Audrius Šenavičius ishte oficer doganor i EULEX-it i cili punonte me ndërrime të rregullta në pikë-kalimet veriore.

Angazhimi i tij i parë në Mision ishte prej muajit prill 2010 deri në maj 2011 si Oficer Doganor i të Hyrave, ndërsa angazhimin e dytë si Oficer Doganor e filloi në gusht 2012. Para angazhimit të tij në EULEX, ai ishte Inspektor i Lartë në Departamentin e Doganës në Lituani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat