Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për takimin e sotëm të mbajtur në Bruksel mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që për temë kyçe kishte Fondin e Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh (grante dhe kredi).
“Jemi vendi i parë që kemi avancuar me hapat e nevojshëm, si dorëzimi i Agjendës së Reformave”, shkroi Kurti.
Postimi i plotë:
Në Bruksel, me Presidenten e rizgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, patëm një drekë pune në takimin e katërt të Bashkimit Evropian me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet objektiv i qartë i yni. Hapin e parë formal të aplikimit e kemi bërë dhjetorin e vitit 2022, dhe bashkë me rikthimin e zgjerimit në agjendën e Bashkimit Evropian, është koha e duhur që Kosova të marrë statusin e merituar të vendit kandidat.
Kemi përmbushur shumë reforma, treguar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane e demokratike si dhe nivel të lartë të përgatitjes institucionale. E dëshmuam këtë edhe me Planin e Rritjes, ku jemi vendi i parë që kemi avancuar me hapat e nevojshëm, si dorëzimi i Agjendës së Reformave.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe unitetin e Evropës.