Kurti jep detaje për takimin në Bruksel: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet objektiv i qartë i yni

Aktuale

Kurti jep detaje për takimin në Bruksel: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet objektiv i qartë i yni

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 23:27
Albin Kurti dhe Ursula von der Leyen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për takimin e sotëm të mbajtur në Bruksel mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që për temë kyçe kishte Fondin e Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh (grante dhe kredi).

“Jemi vendi i parë që kemi avancuar me hapat e nevojshëm, si dorëzimi i Agjendës së Reformave”, shkroi Kurti.

Postimi i plotë:

Në Bruksel, me Presidenten e rizgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, patëm një drekë pune në takimin e katërt të Bashkimit Evropian me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet objektiv i qartë i yni. Hapin e parë formal të aplikimit e kemi bërë dhjetorin e vitit 2022, dhe bashkë me rikthimin e zgjerimit në agjendën e Bashkimit Evropian, është koha e duhur që Kosova të marrë statusin e merituar të vendit kandidat.

Kemi përmbushur shumë reforma, treguar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane e demokratike si dhe nivel të lartë të përgatitjes institucionale. E dëshmuam këtë edhe me Planin e Rritjes, ku jemi vendi i parë që kemi avancuar me hapat e nevojshëm, si dorëzimi i Agjendës së Reformave.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe unitetin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat