Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat veriore do të mbahen sipas afatit ligjor.
Ai këtë e ka thënë duke komentuar një nga 7 pikat e presidentit serb Vuçiq, për organizim të zgjedhjeve të reja dhe kthimin e serbëve në institucione.
Vokrri në emisionin “InfoNata”, ka thënë se përmes iniciativës për shkarkimin e kryetarëve aktual ka qenë mundësia për organizimin e zgjedhjeve të reja, por që qytetarët sipas tij nuk shprehen vullnet.
“Zgjedhjet e reja kur ta kenë afatin patjetër se do të mbahen, përndryshe janë mbajt një herë dhe është konfirmua rezultatit edhe me atë iniciativën e presidentit Vuçiq që është realizuar përmes instrumenteve të tij në Kosovë, nëse ka qenë vullneti i qytetarëve serbë që të ndërrohen kryetarët aktual dhe të shkohet në zgjedhje të reja”, ka thënë Vokrri.
E sa i përket policëve serbë të larguar e kthimin e tyre që ka qenë edhe një nga kërkesat e Vuçiqit, ai ka thënë se vendet duhet të plotësohen më konkurse të rregullta.
Sipas Vokrrit shumë prej policëve kanë qenë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë nga presioni e kërcënimet e Beogradit, madje sipas tij, disa prej tyre edhe ja kanë thënë këtë e i kanë kërkuar falje.
“Nuk ka kurrfarë kuptimi që nëse me urdhrat e tij janë tërhequr personeli nga një segment shumë i ndjeshëm, siguria, tash prapë të kthehen dhe të na përsëritët një situatë e tillë kur të dëshiron Beogradi kjo nuk mundet me ndodhë. Do të ketë plotësim të atyre pozitave nga qytetarët serb me konkurse të rregullta”, tha Vokrri.