Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, po e mohon kategorikisht se shkalla e papunësisë në Kosovë ka rënë në 4%, siç po pretendon partia në pushtet, “Lëvizja Vetëvendosje”.
Deputetja Bajrami thekson se sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia në vend është 10.9%. Ajo shpjegon se kjo shifër nuk përfshin rreth 694,413 qytetarë të cilët janë të klasifikuar si “jo aktivë në tregun e punës”.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2023 (e fundit e publikuar nga ASK), papunësia në Kosovë është 10.9%, por në këtë papunësi nuk llogaritën si të papunë plot 694 413 qytetarë të cilët janë jo aktiv në tregun e punës, vetëm e vetëm për faktin se këta nuk lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit, pranë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, tha Bajrami.
Bajrami pyet: “Pse duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së Punësimit? A i paguan kjo zyrë? Jo. A ju gjen punë? Jo.” Ajo nënvizon se këta qytetarë nuk janë të papunë sepse nuk dëshirojnë të punojnë, duke i ndarë ata në 243,270 burra dhe 451,143 gra.
“Pyetja është pse duhet me u lajmëru në ato zyra, cili është motivi? A i paguan kjo zyre? Jo A ju gjen punë kjo zyre? Jo Pra për institucionet tona këta 694 413 “qytetarë janë të papunë sepse nuk dojnë me punu”, prej tyre burra janë 243 270, ndërsa gra janë 451 143”, shprehet deputetja Bajrami.
Në përfundim, Bajrami vë në pah se “papunësia është zvogëluar “edhe për shkak të migrimit masiv të qytetarëve nga Kosova.
“PS. Mos harroni se papunësia është zvogëlu edhe për faktin se shumë të punësuar dhe shumë të papunë kanë ikë nga Kosova”, përfundon Bajrami.