Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se mafisë energjetike në Kosovë po i ngushtohet rrethi.
Ai këtë reagim e ka bërë pas raportimeve se Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, po intervistohet në Prokurorinë Speciale në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku i përfshirë është ish kryeshefi, Nagip Krasniqi.
Haradinaj ka thënë se veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë.
“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike. Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Siç u raportua Dejona Mihali po intervistohet për dy raste të korrupsionit.
Mihali ndër të tjera, është duke u intervistuar në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku i përfshirë është ish kryeshefi, Nagip Krasniqi.
Rasti tjetër është ai i kryeshefit aktual të “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka. Të dy këto raste janë nën hetim nga Prokuroria Speciale.