Ish – kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pasi një person u plagos me armë zjarri sot në Mitrovicë.
Viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa policia po kryen hetimet.
Ndërkaq, Bahtiri ka dhënë detaje për të plagusurin ku ka thënë se bëhet fjalë për 40 vjeçarin F. Zeqiri ndaj të cilit janë shkrepur 6 plumba.
“Më indinjatë të thellë mora lajmin shokues për incidentin e rëndë që ndodhi sot në Mitrovicë, ku qytetari F. Zeqiri (40 vjeç) nga Vinarci, mbeti i plagosur rëndë pas të shtënave me armë ku u shkrepën 6 plumba në drejtim të tij”, shkruan Bahtiri në Facebook.
Ai ka theksuar se ky akt, ndodhi prapa shpinës së viktimës dhe gjendja e tij anipse e rëndë po vazhdon të monitorohet vazhdimisht nga emergjenca e QKUK-së.
“Të plagosurit i uroj shërim të shpejt, ndërsa solidarizohemi me familjen e tij, dhe jemi afër tyre në këto momente të vështira.
Aktet e tilla janë të turpshme dhe nuk i kontribuojnë të mirës së vendit, andaj dënoj ashpër këtë akt mizor, i cili është bërë nga persona të paguximshëm që gjuajnë prapa shpinës”, ka thënë ai.