Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Drenas, Naim Qorri, jep dorëheqje me dhjetëra aktivistë, akuzon Enver Dugollin për punësime të paligjshme

Aktuale

Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Drenas, Naim Qorri, jep dorëheqje me dhjetëra aktivistë, akuzon Enver Dugollin për punësime të paligjshme

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 14:03
Naim Qorri

Naim Qorri, Kryetar i Degës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, ka njoftuar dorëheqjen e tij, së bashku me dhjetëra delegatë dhe aktivistë të kësaj qendre. Në një deklaratë publike, Qorri ka shprehur zhgënjimin dhe mospajtimin e tij me zhvillimet e fundit brenda Lëvizjes në Drenas, duke akuzuar drejtuesit lokalë për veprime jo demokratike dhe favorizime politike.

Sipas Qorrit, situata në qendrën e Lëvizjes në Drenas është bërë “e padurueshme”, veçanërisht për shkak të mënyrës së menaxhimit nga Kryetarja Egzona Tërdevci dhe Enver Dugolli, të cilët ai i akuzon për punësime të padrejta dhe manipulime me ndërmarrjet publike. Ai theksoi se që nga marrja e detyrës nga Tërdevci, janë larguar më shumë se 70% e anëtarëve të degës dhe dy nga pesë asamblistët e zgjedhur në zgjedhjet lokale nuk janë më pjesë e Lëvizjes.

Qorri akuzon Tërdevcin dhe Dugollin për favorizim të një grupi të ngushtë individësh, ndërkohë që kanë linçuar dhe distancuar aktivistët e tjerë. Ai gjithashtu përmendi ndikimin e tyre në dhënien e pronave publike për shfrytëzim nga të afërmit e ish-asamblistit të VETËVENDOSJE!, duke përfshirë edhe Stacionin e Trenit në Drenas.

Pavarësisht largimit, Qorri theksoi se është krenar për kontributin e tij si Kryetar i Degës në Drenas dhe angazhimin e tij politik do ta vazhdojë në shërbim të qytetarëve të Drenasit, duke mbrojtur interesat e tyre me dinjitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat