Kurti takoi Koopmanin, diskutuan aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE

Aktuale

Kurti takoi Koopmanin, diskutuan aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 14:18
Foto nga vendngjarja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Bruksel nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, me të cilin diskutoi aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.

Në kumtesë për media bëhet e ditur se në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit.

“Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, dhe shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet tutje në njoftim.

Më tej theksohet se Kurti u shpreh që për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve të shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat