Ekspertët: Ndalimi i importeve nga Serbia mund të ketë pasoja për Kosovën

Aktuale

Ekspertët: Ndalimi i importeve nga Serbia mund të ketë pasoja për Kosovën

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Diplomatë gjermanë të angazhuar për Ballkanin dhe ekspertë të çështjeve të integrimit evropian dhe ekonomisë, po i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Qeveria e Kosovës ndali importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore.

Gjatë një vizite në Kosovë në fund të muajit të kaluar i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i kërkoi qeverisë heqjen ndalëses duke theksuar se ajo është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të njohur si CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.

Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj - me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), siç është aktualisht.

Pas vizitës, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, në një postim në rrjetet sociale tha se “nëse është e nevojshme vendet e tjera të Ballkanit do të vazhdojnë përpara pa Kosovën me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti, në një bisedë me Zërin e Amerikës thotë se këto kërkesa Kosovës po i bëhen në prag të takimit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Të gjitha këto agjenda që po zhvillohen si tani Tregu i Përbashkët Rajonal II, jo që kanë pasur suksese të mëdha dhe jo që kanë përparuar shumë bashkëpunimin rajonal por megjithatë agjenda të reja po ndërtohen mbi to dhe Kosova duhet t’i kapë ato. Natyrisht Kosova ka shumë probleme me CEFTA-n dhe ne si organizatë kundërshtojmë që Kosova ende të thirret si UNMIK në këto agjenda dhe duhet të bëhet gjithçka që të hiqet, por në të njëjtën kohë Kosova duhet të ruajë ato vlera që ka, që të jetë e hapur dhe të jetë territor i tregtisë së lirë, bashkëpunimit institucional demokratik me perëndimin sepse vetëm kështu mbijeton”, thotë zoti Rashiti.

Ai shprehet i bindur se Kosova nuk do të përjashtohet nga nismat rajonale por do ta humb ndikimin mbi to.

“Nuk e besoj që do të ndodhë sepse është vështirë të paramendohet që në Kancelarinë gjermane të ulen liderët e vendeve e të nënshkruajnë një marrëveshje pa praninë e të gjithëve, jam i bindur që në fund edhe Gjermania edhe Kosova do të bëjnë përpjekje më shumë, por negociatat e momentit të fundit janë shumë të rrezikshme. Këto negociata është dashur të zhvillohen në mënyrë shumë më transparente, më gjithëpërfshirëse, më të kujdesshme e më aktive, të dy palët por në veçanti po flasim për Kosovën sepse mund të ketë edhe të panjohura, apo agjenda të tjera apo shtojca të tjera të vendeve tjera, sic zakonisht e bën Serbia. Kështu që pastaj Berlini nuk do ta lë Serbinë jashtë, kështu që Kosova duhet në mënyrë proaktive t’i paraprijë ndërtimit të agjendës, t’i formësojë mirë, të komunikojë drejt me prijësin e këtij procesi por edhe vendet tjera”, thotë zoti Rashiti.

Skender Krasniqi kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, thotë se qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë situatë ashtu që krahas heqjes së ndalesës për mallrat nga Serbia të rinegociojë në tërësi marrëveshjen e saj në CEFTA, e cila u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës në vitin 2006.

“Sepse Kosova është i vetmi vend që ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s pa e mbrojtur asnjë produkt, gjë që ka ndikuar në rritjen me mijëra për qind të importit nga këto vende dhe me dhjetëra ndoshta më pak në raport me eksportin e produkteve tona në vendet e CEFTA-s. Ky ka qenë gabimi i vazhdueshëm i kësaj dhe të gjitha qeverive në Kosovë që asnjëherë nuk ka nisur rinegocimin e marrëveshjes së CEFTA-s dhe fillimin e mbrojtjes së produkteve që i kemi e që janë konkurruese në treg”, thotë ai.

Në përgjigjen që qeveria e Kosovës i dërgoi Zërit të Amerikës thuhet se “Kosova mbështetet bashkëpunimin rajonal dhe thellimin e integrimit ekonomik përmes Procesit të Berlinit, bazuar në parimin e barazisë, reciprocitetit, vlerave dhe rregullave të Bashkimit Evropian”.

“Në takimin e djeshëm me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Kurti shprehu angazhimin e Qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja në kuadër të këtij procesi, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në Berlin dhe Tiranë”, thuhet në reagimin e qeverisë, duke shtuar se “ajo po punon për zhbllokimin e CEFTAs si mekanizëm i rëndësishëm në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, në mënyrë që të sigurohet përfaqësim direkt dhe barazi mes palëve”.

Procesi i Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit, është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Takimi i radhës pritet të mbahet me 14 tetor dhe diplomati gjerman Sarrazin ka kërkuar që deri atëherë të ndërmerren veprime konkrete që ndihmojnë përparimin e vendeve të rajonit që aspirojnë integrimet evropiane duke theksuar se “për këtë duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmëri për lëshime mbi pajtimin rreth marrëveshjeve politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as për Kosovën”.

Zoti Rashiti thotë se Procesi i Berlinit ka mbetur e vetmja agjendë evropiane e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, që përfshin të gjitha vendet e rajonit dhe i trajton ato në mënyrë të barabartë. Rrjedhimisht thotë ai, këmbëngulja e Kosovës për reciprocitet është politikisht legjitime, por në kuptimin afatgjatë nuk është qasje e duhur.

“Masat aktuale janë masa që përkojnë me dy prioritete të qeverisë, nëse ju kujtohet qeveria që kur ka ardhur në pushtet ka proklamuar reciprocitetin dhe kjo është baza e qëndrimit politik dhe e dyta ka të bëjë me sigurinë pas Banjskës. Që të gjitha kuptohen por në të njëjtën kohë duhet të luftohet e para për lobim dhe avancim të këtyre agjendave rajonale për një mobilizim të partnerëve për ta luftuar Serbinë, pra ti i heq masat por nuk heq dorë nga kërkesat jote dhe pastaj mund të krijosh agjenda të tjera që kërkojnë vendosjen e reciprocitetit ose zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në kuadër të mekanizmave të tjerë apo vendosjes së mekanizmave të ri”, thotë ai.

Zoti Rashiti thekson se përplasjet e Kosovës me aleatët rrezikojnë të bëjnë atë një vend të cenueshëm në të ardhmen.

“Në Kosovë duhet të kuptohet që Kosova ka nevojë për aleatët perëndimorë, jo Gjermania, jo Franca dhe jo Shtetet e Bashkuara. Kosova ka nevojë që të jetë në vija uniforme me këto agjendat ndërkombëtare të integrimeve që të përfitojë, përndryshe Kosova do të bëhet vend i cenueshëm, nëse nuk e shohim sot do ta shohim vitin tjetër, apo një vit pas. Të gjitha këto procese të shtrirjes së sovranitetit, të reciprocitetit, të bashkëpunimit rajonal, të rritjes së prezencës së Kosovës dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare do të arrihen më mirë në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është perfekte, këto vende kanë agjenda të ndryshme, kanë shpesh agjenda kontradiktore sic e kemi parë e favorizojnë Serbinë në faza të caktuara, megjithatë qëllimi primar i Kosovës është konsolidimi i shtetësisë brenda dhe jashtë ku nuk do të ja arrijmë dot pa faktorin ndërkombëtar, kjo mund të kuptohet sot ose pas dhjetë vitesh apo pesëmbëdhjetë vitesh, nuk ka zgjidhje tjetër”, thotë ai.

Raporti i këtij viti i departamentit amerikan të Shtetit për klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2023 kritikojnë ndalesën e importit të mallrave serbe duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe se ka “shkaktuar konfuzion të madh tek importuesit dhe ka ndikuar negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjes në zinxhirin e furnizimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat