​Betohen 20 kadetë të rinj të FSK-së

Aktuale

​Betohen 20 kadetë të rinj të FSK-së

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 19:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se sot 20 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nisur rrugëtimin e tyre si oficerë të ardhshëm.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ndihet krenar dhe i emocionuar teksa sheh rritjen dhe zhvillimin e ushtrisë së Kosovës.

“Sot po filloni një etapë të rëndësishme në jetën tuaj, jo të lehtë por tejet të rëndësishme për ju dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtrisë. Katër vjetët e ardhshme do të ndërtojnë bazamentin tuaj jetësor në aspektin fizik e mendor. Do të keni rastin që nga eprorët tuaj të mësoni teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do të udhëhiqni”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka theksuar se në këtë kohë sfidash për sigurinë globale dhe vendore, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është esenciale.

Si ministër i Mbrojtjes së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me përkrahjen e Qeverisë jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për investimin në ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve krahas investimit në armatime. Ju siguroj që do të keni gjithmonë përkrahjen time dhe të Qeverisë”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat