Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se sot 20 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nisur rrugëtimin e tyre si oficerë të ardhshëm.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ndihet krenar dhe i emocionuar teksa sheh rritjen dhe zhvillimin e ushtrisë së Kosovës.
“Sot po filloni një etapë të rëndësishme në jetën tuaj, jo të lehtë por tejet të rëndësishme për ju dhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtrisë. Katër vjetët e ardhshme do të ndërtojnë bazamentin tuaj jetësor në aspektin fizik e mendor. Do të keni rastin që nga eprorët tuaj të mësoni teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do të udhëhiqni”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se në këtë kohë sfidash për sigurinë globale dhe vendore, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është esenciale.
“Si ministër i Mbrojtjes së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me përkrahjen e Qeverisë jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për investimin në ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve krahas investimit në armatime. Ju siguroj që do të keni gjithmonë përkrahjen time dhe të Qeverisë”, ka përfunduar ai.