Mbrojtja e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut kërkon vërtetimin e aktgjykimit lidhur me lirimin nga akuza për krime lufte

Aktuale

Mbrojtja e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut kërkon vërtetimin e aktgjykimit lidhur me lirimin nga akuza për krime lufte

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 20:23
Mbrojtja e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut kërkon vërtetimin e aktgjykimit lidhur me lirimin nga akuza për krime lufte

Mbrojtësit e të akuzuarve, Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, avokatët Mexhit Syla dhe Artan Qerkini kërkuan nga Gjykata e Apelit që të vërtetojë aktgjykimin me të cilin të mbrjturit e tyre janë liruar nga akti akuzues.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 prill 2024 ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Jahir Demaku, i kishte liruar nga akuza për krime lufte kundër popullatës civile.

Por, ndaj vendimit të Themelores sa i përket lirimit të të akuzuarve, ankesë në Apel ka parashtruar Prokuroria Speciale.

Sipas Prokurorisë, aktgjykimi ka pasur shkleje të dispozitave të KPPRK-së, konstatim të gabuar të gjendjes faktike dhe Kodit Penal, duke kërkuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet sërsisht në rigjykim.

Lidhur më këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Demakut, avokati Syla, dekloroi se ankesa është bërë në mungesë të provave, fakteve dhe se kjo ankesë del krejtësisht e pakuptimit.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Demaku, avokati Qerkini, shtoi se gjykata e shkallës së parë në aktgjykim jep arsye konkrete se pse dëshmisë së dëshmitarit “A” nuk mund t’ia falë besimin, duke deklaruar se e njejta është kundërthënëse më provat e tjera në shkresat e lëndës.

Më pas kryetari i kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, gjykatësi Bashkim Hyseni njoftoi palët që brenda afatit do të pranojnë vendimin e kësaj gjykate.

Ndryshe, Sylejman Selimi akuzohej për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK).

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat