Gjykata Themelore e Prizrenit, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Rexhaj, avokatit Blerim Mazreku për të ditur emrat e zyrtarëve policor që kishin bërë video-incizime në vendin e ngjarjes.
Avokati Mazreku gjatë seancës së sotme ka thënë se pas dëgjimit të dëshmitarit të fundit Avdyl Sekiraqa, gjatë dëshmisë së tij është kuptuar që një pjesë e incizimeve të realizuara në vendin e ngjarjes pretendohet të jenë bërë nga zyrtarët policor me telefon privatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokati Mazreku, për tu siguruar se këto incizime a janë autentike, të pandryshuara kërkoi që zyrtarisht të sigurohen informacionet, përkatësisht emrat e hetuesve policorë, numrat IMEI të telefonave të tyre.
Ajo shtoi se sa i përket çështjes së dorëzimit të video-incizimeve mbrojtjes, prokuroria ia ka dorëzuar të njëjtat me kohë.
Edhe kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mazreku lidhur me kërkesën zbulimit të emrave të zyrtarëve policorë, por ka aprovua kërkesën se këto incizime të dërgohen në ekzaminim për të vërtetuar se a ka pasur ndërhyrje.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 maj 2022, i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personit zyrtar, oficerit korrektues, ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Sipas aktakuzës, i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni të “IPKO-s”, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “Edin”.
Me këtë, i pandehuri Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragraf 2 i KPRK-së.