​Kadrijaj: Riintegrimi i serbëve në institucionet në veri të jetë vetëm në përputhje me ligjet

Aktuale

​Kadrijaj: Riintegrimi i serbëve në institucionet në veri të jetë vetëm në përputhje me ligjet

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 08:50
Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Time Kadrijaj, thotë se riintegrimi i komunitetit serb në institucione në veri, duhet të ndodh vetëm në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ajo akuzon Serbinë se ka tendencë për destabilizim të Kosovës, mirëpo kritika adreson edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, që sipas saj, po ndërmerr veprime në veri vetëm për fushatë zgjedhore.

Kadrijaj për KosovaPress, flet për nevojën e riformatimit të dialogut, raportet me aleatët strategjik të Kosovës dhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Duhet të konsultohen të gjitha ligjet dhe Kushtetuta. Ligjet janë për t’u zbatuar, tash ne nuk mundemi sa herë ata dëshirojnë të kthehen në institucione të Kosovës, kur nuk donë t’i braktisin dhe gjithmonë të dirigjohen nga politika e Beogradit. Zotëri Vuçiq është mirë që t’i lejoj serbët të integrohen dhe të jetojnë sikurse komunitetet të tjera më të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë”, thekson ajo.

Deputetja opozitare thotë se kryeministri Kurti në mungesë të rezultateve konkrete gjatë katër viteve mandat po ndërmerr veprime populiste në veri për fushatë zgjedhore.

“Meqenëse jemi në vit zgjedhor dhe s’kanë ngel shumë në datën e zgjedhjeve këta po mundohen me populizma me rikthyer besimin qytetarë duke thënë se ne jemi koncentruar në shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit në pjesën veriore të vendit, e cila nuk qëndron....(Veprimet në veri) Janë në kuadër të fushatës. Është një qeveri që ka pasur një performancë zero, pa asnjë investim kapital. Shihni katër vjet qeverisje pa asnjë projekt infrastrukturor. Autostrada që është nis për Mitrovicë, për Gjilan, për Podujevë, rruga Kijevë asnjë projekt nuk është përfunduar”, shton Kadrijaj.

Sipas saj, primare për qeverinë duhet të jetë koordinimi me aleatë, pasi çfarëdo veprimi në veri kur kundërshtohet nga aleanca veri-atlantike nuk duhet të konsiderohet si fitore.

“Çdo veprim që e ndërmerr qeveria e Kosovës pa konsultim me aleatët tanë nuk mundet me u konsideru një fitore. Në fakt është prapakthim. Në e kemi pa se për një veprim të pakoordinuar siç ka qenë implementimi i marrëveshjes për targa, jemi në këtë situatë ku Kosova është e sanksionuar. Dy vende sot janë të sanksionuara nga BE-ja, është Rusia për shkak të luftës me Ukrainën dhe Kosova për shkak të politikave të gabuara të Albin Kurtit”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Kadrijaj e konsideron të domosdoshme riformatimin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas saj, dialogu duhet të ristrukturohet dhe njohja reciproke të kthehet në qendër të procesit.

“Dialogu duhet të strukturohet, duhet të ketë parime në dialog dhe të shkohet me një qëndrim që të ketë njohje reciproke, që Serbia mos të pengojë agjendën evropiane të Kosovës. Tash ne po pengojmë vet për shkak të veprimeve(në veri) jemi larguar agjendës evropiane, se kemi përkrahjen e vendeve aleatëve qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare apo njohje të reja”, deklaron ajo.

Duke folur për zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo thotë se AAK-ja është e gatshme dhe po punon çdo ditë në teren së bashku me partnerët e koalicionit, derisa potencon se do të jenë befasia e zgjedhjeve.

“Ne jemi të gatshëm, jemi të përgatitur. Kemi qenë vazhdimisht në teren dhe kontakte me njerëz. Ne udhëheqim me pesë komuna me kryetarët më të mirë të mundshëm, pa asnjë afër korruptive dhe performancën si komunat me transparencën më të madhe. Jemi në teren, kemi koalicion me Nismën dhe dy parti të tjera të vogla. Jemi të mobilizuar, herët kemi filluar aktivitetin dhe ne besoj kemi qenë befasia e këtyre zgjedhjeve....Besoj mbi 15 për qind (rezultati zgjedhor)”, përfundon Kadrijaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat