Abrashi: Shteti është fokusuar së tepërmi te dialogu dhe veriu, Kosova nuk është veç Mitrovicë

Aktuale

Abrashi: Shteti është fokusuar së tepërmi te dialogu dhe veriu, Kosova nuk është veç Mitrovicë

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 10:39
Gazmend Abrashi

Gazmend Abrashi, president i “Exclusive Group”, në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka diskutuar për ekonominë dhe zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur kritika mbi mënyrën se si trajtohen disa çështje të rëndësishme në vend.

Abrashi theksoi se diskursi publik dhe fokusimi i qeverisë është i dominuar nga tema e marrëdhënieve me Serbinë dhe çështja e veriut të Kosovës, ndërsa sipas tij, ka shumë probleme të tjera që po neglizhohen.

“Është pak e çuditshme, nëse shikon në çfarë janë të përqendruar qeveria, shteti, janë kryesisht tema dialogu, Serbia, veriu. Unë e kuptoj atë çka ka ndodhë vitin e kaluar dhe e inkurajoj shtetin për masat që i ka marrë për padinë që e kanë ngritë për Banjskën. Por Kosova nuk është veç Mitrovicë, unë vetë Mitrovicali jam, domethënë babë e babagjysh jemi të Mitrovicës, por duhet me ec përpara. Ne kemi mbetur rob të një tregimit, vetëm Mitrovicës, por kemi edhe probleme tjera”, deklaroi Abrashi.

Duke u ndalur në ekonominë lokale, ai theksoi se sektori i ndërtimtarisë dhe hotelerisë janë dy shtyllat kryesore ekonomike të Kosovës, por vuri në dukje rënien e interesit të investimeve për shkak të problemeve me stabilitetin politik dhe mbylljen e hershme të bizneseve.

“I kemi dy lëmi të ekonomisë, të cilat realisht me i këqyr njëzet vjetët e fundit është hoteleria edhe ndërtimtaria. Realisht, unë e mendoj dhe e vërtetoj, që nja 70% e GDP-së na vjen prej këtyre dy sektorëve. Jemi dëshmitar çfarë po ndodh me bizneset në Prishtinë. Çka po ndodh me hotelerinë? Me hoteleri, po ndodh që është në shuarje e sipër. Restorantet mbyllen në ora 23:30”, deklaroi ndërmarrësi.

Ai përmendi se mungesa e integrimit rajonal dhe raportet e dobëta me shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Abrashi përmendi gjithashtu ndikimin e luftës në Ukrainë në rajon, duke theksuar se Kosova ka mbetur e izoluar dhe e dezintegruar në këtë kontekst.

Për më tepër, ai shprehu shqetësimin për humbjen e interesit të investitorëve të huaj, duke përmendur sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë problemet për të pasur qasje tek zyrtarët e qeverisë dhe klimën e përgjithshme të zymtë për investime të reja në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat