Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se është i domosdoshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky proces ndodhet në qorrsokak dhe se nuk mund të ecet tutje në këtë formë.
Ai thotë se pas konstituimit të strukturave të reja në BE dhe siç thotë me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, dialogu do të merr dinamikë të re, derisa potencon se do ta ndryshojnë marrëveshjen bazë të Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draftin evropian për asociacionin. Sipas tij me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, brenda një periudhe të shkurtër pas zgjedhjeve do të rikthejnë fokusin te njohja reciproke në dialog.
Krasniqi thotë se synim i kandidatit për kryeministër të PDK-së Bedri Hamza do të jetë arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.
Krasniqi: Nevojitet riformatim i dialogut Kosovë-Serbi
“Procesi politik i dialogut, tashmë e kemi thënë shumë kohë më herët që është në qorrsokak dhe nuk mund të ecë tutje në këtë formë. Ne kemi kërkuar një resetim të këtij procesi edhe në takime që kemi pasur me ndërmjetësit. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë tash kur s’ka as Komision Evropian. Këto ditë tashmë e dimë se Komisioni Evropian i propozuar do të merr mbështetjen dhe do të zgjidhet, por do të jetë në fund të dhjetorit. Për qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK-ja dhe Bedri Hamza do të ketë një qasje të re dhe resetim të dialogut për ta përfunduar një herë e mirë dhe për ta pasur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ... Ajo marrëveshje (Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit) ka hapësirë për t’u ndryshuar, pavarësisht se neve na ka bërë obligim shtetëror zotëri Kurti. Unë jam i bindur se ne do të arrijmë që të kishim mbështetje ndërkombëtare për të pasur një proces që rikthehen fokusin te njohja e ndërsjellët”, tha Krasniqi.
Ai akuzon Kurtin se i ka sjellë Kosovës një marrëveshje të keqe me Serbinë, e cila është e pamjaftueshme për vendin. Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq nuk janë të interesuar për ta zbatuar ujdinë, por dëshirojnë ta përdorin në mënyrë taktike për interesa të brendshme të tyre.
Madje ai akuzon Kurtin se ka pranuar asociacionin, i cili sjell pushtet të tretë në Kosovë dhe autonomi për serbët në veri.
Krasniqi: Kurti e ka pranuar Asociacionin
“Nuk jam i bindur që në këta muajt të mbetur mund të ketë zbatim të marrëveshjes. E vërteta është se zotëri Kurti është zotuar dhe kërkon zbatimin e asaj marrëveshje, e cila është absolutisht e pafavorshme dhe pamjaftueshme për Kosovën. Besoj se të dy palët sikur Serbia dhe Kosova s’janë të interesuar për ta zbatuar marrëveshjen, por vetëm me përdorë në mënyrë taktike për interesa të brendshme dhe konsum... Ky zotëri kryeministër bashkë me ministren e Jashtme e kanë pranuar atë asociacion me letrën dhe mënyrë klandestine siç e kemi parë me deklarimin e presidentes që i kanë dërguar shteteve duke iu thënë se pranona Këshill të Evropës se ne do të zbatojmë. Këtu janë dy mundësi ose përnjëmend donë ta zbatojnë atë draft të asociacionit që është i dëmshëm dhe nuk duhet të zbatohet, ose kanë menduar se munden t’i mashtrojnë shtetet e Këshillit të Evropës”, thekson Krasniqi.
Duke folur për presionin gjerman që Kosova ta largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, Krasniqi thotë se me Kurtin kryeministër është rrezik që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA.
Madje, ai e quan absurditet refuzimin e kryeministrit Kurti sa i përket mundësisë që Kosova të jetë e barabartë në CEFTA, duke larguar UNIMIK-un nga përfaqësimi.
Krasniqi: Është absurditet pozicioni i Kurtit për Procesin e Berlinit dhe CEFTA-n
“Këtu ka absurditet mbi absurditetet. Absurdi është emëruesi i përbashkët i zotëri Kurti në të gjitha fushat. Ne krejt para tij, por edhe kur ai ka qenë në pushtet, kemi shprehur rezervën dhe kundërshtimin ndaj Ballkanit të Hapur pasi kemi thënë se Procesi i Berlinit duhet të jetë bazë. Tash çohet ky zotëria dhe sjell punën ta përjashtojë Kosovën prej Procesit të Berlinit. Qëndrimi gjerman është i qartë. Krejt kemi kërkuar që CEFTA të funksionojë që Kosova të jetë e barabartë dhe të largohet UNMIK-u dhe i vjen mundësia për një gjë të tillë, mirëpo edhe këtë e refuzon. Tash çka do të ndodhë deri në samtin e tetorit, unë nuk e di, por nuk do të befasohesha që ato që i kanë paralajmëruar zyrtarët gjermanë të ndodhin”, deklaron Krasniqi.