Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se do të jenë fitues në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 9 shkurt 2025.
Ai thekson se kauza e tyre zgjedhore do të jenë temat që prekin direkt qytetarët sikurse mirëqenia, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia. Krasniqi deklaron se s’kanë vija të kuqe për koalicione me partitë politike, mirëpo kanë preferenca dhe rezerva se me kënd mund të bëjnë një qeveri të ardhshme.
Krasniqi: Do të dalim partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit
“Ne do të punojmë dhe do të vazhdojmë këtë trajektore të angazhimit tonë që nga dita kur e kemi nominuar zotëri Hamza dhe deri më 9 shkurt për të marrë besimin e qytetarëve dhe për të dal partia fituese në zgjedhje. Pas kësaj ne do të mendojmë për koalicione potenciale me parti që vërtet mund t’i ndajmë botëkuptimet tona ideologjike dhe politike por në mënyrë të veçantë edhe programin elektoral që zotëri Hamza do të prezantojë... Në kuptimin parimor qëndrojë në atë ditë, por mos të keqkuptohet se kam gatishmëri me të gjitha partitë me bërë koalicion. Parimisht, ne kurrë s’kemi pasur vija të kuqe pasi s’kemi dashur të përjashtojmë askënd. Nuk jemi parti përjashtuese në kuptimin ofendues, sepse kur i thua, kam vijë të kuqe është ofendim për votuesit e tyre. Ky ka qenë mentaliteti i PDK-së edhe në kohën e Thaçit, Veselit. Parimisht, s’kemi vija të kuqe, por kemi preferenca dhe kemi rezerva kur bie puna se me kënd do të bëjmë një qeveri të ardhshme”, thekson Krasniqi.
Duke iu përgjigjur kritikave të pushtetit aktual se opozita s’ka kauzë për zgjedhjet e 9 shkurtit, lideri i PDK-së thotë se fokusi kryesor i tyre do të jenë në temat që iu interesojnë dhe janë preokupim i qytetarëve.
Krasniqi: Kauza jonë për zgjedhje do të jenë që iu interesojnë qytetarëve
“Fokusi ynë dhe kandidatit tonë, Bedri Hamza do të jenë temat që vërtet iu interesojnë qytetarëve të Kosovës. Do të jenë temat që iu kanë preokupuar gjatë viteve dhe do t’i preokupojnë edhe për të ardhmen e tyre. Besoj se Kosova dhe skena politike e ka këtë përgjegjësi. Ka nevojë të dilet prej diskutimit vetëm për të kaluarën, duhet të flasim për të tashmen dhe të ardhmen. Ne do të flasim për perspektivën e munguar të qytetarëve tonë dhe gjeneratave të reja. Ne do të flasim për rritjen enorme të çmimeve dhe që ka cenuar mirëqenien e familjeve tona. Ne do të flasim për një arsim që vërtet nxjerr kuadro konkurruese, për shëndetësi, krijimin e një perspektive dhe kushteve që të rinjtë tanë të mos mendojnë të dalin jashtë vendit”, tha Krasniqi.
Ai akuzon kryeministrin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar se kanë dështuar gjatë qeverisjes së tyre.
Krasniqi: 200 mijë njerëz kanë lëshuar Kosovën gjatë mandatit të Kurtit
“200 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën gjatë mandatit të Kurtit. A ka me thënë që e kemi shëndetësinë më mirë, që e kemi të degraduar totalisht, a do të thotë ekonomia ka lulëzuar kur e kemi të stagnuar totalisht. A ka me thënë që arsimi është më kompetitiv për tregjet ndërkombëtarë, kur ne i kemi rezultatet më të tmerrshme në PISA dhe kështu me radhë. Ai nuk ka asnjë temë me të cilën mundet me fol ose mundet me u mburrë. Nga 160 çerdhe që i ka premtuar nuk e di a ka ndërtuar katër ende, nga krejt projektet infrastrukturore atij i ka mbetur një urë në Sarandran katër metra urë. S’ka qenë në gjendje një urë në Badoc që dy vjet ta ndërtojë, ndërkohë s’ka asnjë projekt që mundet të mburret para qytetarëve”, përfundon Krasniqi.