Republika e Kosovës ka aderuar në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave me seli në Bruksel, duke u bërë si shteti më i ri anëtarë i kësaj Konvente.
Sipas një komunikate për media nga MPJD-ja, dorëzimi zyrtarë i instrumentit të anëtarësimit në Konventën për Pranim të Përkohshëm, u bë nga udhëheqësi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, ambasadori Agron Bajrami dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, përderisa nënshkrimi i saj ishte bërë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Me rastin e aderimit të vendit tonë në këtë Konventë të rëndësishme, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), z. Ian Saunders, e ka përgëzuar Kosovën për aderimin në Konventën e Stambollit dhe përkushtimin e saj për zbatimin e procedurave doganore që promovojnë lehtësimin dhe sigurinë e tregtisë”, thuhet në komunikatë.
E miratuar në vitin 1990, Konventa e Stambollit thjeshton pranimin e përkohshëm të mallrave përtej kufijve, përderisa OBD luan një rol kyç në mbikëqyrjen e zbatimit të konventës dhe ofrimin e udhëzimeve për vendet anëtare.
Që nga anëtarësimi i saj në OBD, Kosova ka përmbushur standardet ndërkombëtare duke aderuar në Konventa të tjera të rëndësishme tregtare.
Si anëtari i 81-të i Konventës së Stambollit, Kosova i bashkohet një numri në rritje të vendeve që përfitojnë nga procedurat doganore të thjeshtuara për importet e përkohshme.
Ky anëtarësim do të përmirësojë përpjekjet e Kosovës për lehtësimin e tregtisë, do të tërheqë investime të huaja dhe do të forcojë integrimin e saj në ekonominë globale, duke mbështetur kështu rritjen e qëndrueshme ekonomike.