Kritikat e qeverisë për Prokurorinë Speciale nga shoqëria civile vlerësohen si ndërhyrje në drejtësi

Aktuale

Kritikat e qeverisë për Prokurorinë Speciale nga shoqëria civile vlerësohen si ndërhyrje në drejtësi

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 22:08
Albin Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se aktakuza nuk është përgatitur nga Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj duke e cilësuar si të vonuar e njëherit duke kritikuar prokurorinë për intervistimin e Mihajlit.

Sulmi terrorist që pësoi pjesa veriore e vendit në shtator të vitit të kaluar, është përcjellur me kritika të shumta për vonesën e një ngritje të një aktakuze nga Prokuroria Speciale.

Ndonëse e njëjta u ngrit pak ditë pa u bërë një vit nga ngjarja, të pakënaqur përsëri mbetën anëtarë të partisë në pushtet.

Aktakuzën për Banjskën, deputeti Artan Abrashi e ka quajtur “super të vonuar” e njëherit, i kritikoi prokurorët special për intervistimin të një dite më parë të Dejona Mihalit.

A e ka bë Prokuroria Speciale një aktakuzë SUPER TË VONUAR ndaj aktit terrorist në Banjskë, të kryesuar nga Radojçiqi? Tash, Blerim Isufaj, i cili nuk është emëru Kryeprokuror, thotë kështu: po e bëjmë edhe ne një aktakuzë të madhe (të cilën me siguri se ka bë vetë, por i kanë ndihmu shtetet tona partnere), mirëpo 5 muaj para zgjedhjeve e fton në Prokurori, Dejona Mihalin. A e dini çfarë mesazhi është ky? Kjo do të thotë që, unë, Blerim Isufaj dhe ne e gjithë PDK e LDK, që jemi në Prokurori e nëpër Gjykata, do ta luftojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sidomos në këtë kohë fushate”, ka thënë Artan Abrashi, deputet i LVV-së.

Nga organizatat monitoruese, kjo po vlerësohet si ndërhyrje e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë nga partia në pushtet.

Deklaratat e partisë në pushtet, ministrave apo kryeministrit direkt apo deputetëve të caktuar kundrejt punës së Prokurorisë janë deklarata të cilat janë të patolerueshme dhe janë deklarata të cilat nuk duhet të epen”, ka thënë Flamur Kabashi, hulumtues në IKD.

Për pretendimin e Abrashit për intervistimin e Mihalit, Kabashi vlerëson se një element i tillë nuk qëndron.

”Prokuroria i ka afatet e veta, i ka veprimet e veta brenda të cilave duhet të funksionoj dhe duhet veproj. Nuk besoj dhe nuk duhet assesi të jetë e lidhur me afatet e fushatës. për këtë arsye edhe në rastin konkret nuk besoj se ka ndodhur një gjë e tillë”, ka thënë Kabashi.

Por nga ana juridike, aktakuza vlerësohet të jetë bërë në kohë rekord.

Për bindjen time profesionale, kjo aktakuzë është ngritur në afat rekord, i cili do duhej të vlerësohej si pozitiv kur kemi parasysh vëllimin dhe veprat e të akuzuarve, aq më tepër se aktakuzat gjithëherë e sidomos në rastin konkret, që është njëra ndër aktakuzat më të mira që hasim sidomos në veprime i së cilit të pandehur kërkohet të përshkruhet… Kjo punë nuk është punë e askujt tjetër përpos Prokurorisë”, ka thënë Florim Shefqeti, avokat.

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali është intervistuar një ditë më parë në Prokurorinë Speciale për tre orë.

Ndërkaq, një ditë pasi që bëhen një vit nga sulmi në Banjskë të Zveçanit, pritet që të nisë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për këtë sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat