Kërkesa e palës serbe për ripërcaktim të kufijve të fshatit Suhodoll, vlerësohet si shpërfaqje e pretendimeve territoriale, që lidhen me formimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Për këto çështje të ngritura në Bruksel, kërkohet që Kosova të zbatojë doktrinën amerikanë të Monros.
Demarkimi i Suhodollit, u paraqit si parakusht nga pala serbe në Bruksel, për hapjen e urës së Ibrit.
Kjo çështje u përmend në Burksel pas takimeve të kryenegociatorëve, ku Petar Petkoviq kërkoi ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut.
Kjo vlerësohet se shpërfaq pretendimet territoriale të Serbisë.
“Shohim vazhdimisht, pandërprerë që Serbia ka pretendime territoriale dhe e bën për interesa strategjke, gjithçka që bën në pjesën veriore përgjithësisht, por edhe për urën e Ibrit”, tha profesori universitar, Mazllum Baraliu.
Ripërcaktimi i kufijve, konsiderohet se lidhet ngushtë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Është një lojë e qeverisë serbe, e cila qëllimin final e ka që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të ketë territor të caktuar, të ketë institucione të caktuara dhe së fundi kemi parë që kësaj alternative iu ka shtuar edhe njohja e pasaportave. Dhe kërkesa për zgjerimin e veriut të Kosovës është kryekëput formimi i një Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, njohësi i sigurisë, Avni Islami.
Për këto çështje të ngritura në Bruksel, kërkohet që Kosova të fillojë së zbatuari, doktrinën amerikane të Monros.
“Kosova duhet para të gjithëve, ta miratojë dhe ta zbatojë Doktrinën e Monros, e cila nënkupton që askush, mik e armik, të mos intereferojë në çështjet politike të brendshme të Kosovës dhe në çështjet kruciale dhe ekzistenciale të saj”, Baraliu.
Fshati Suhodoll, ka qenë një pikë tensioni vite më parë, ku kryetari i atëhershëm i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, kishte një projekt për ujësjellës.