​Ndërtimi i qendrës rezidenciale, kundërshtohet izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara

Aktuale

​Ndërtimi i qendrës rezidenciale, kundërshtohet izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 12:01
Organizatat joqeveritare konsiderojnë se këto shërbime duhet të jenë institucionale.

Ndërtimi i një qendre rezidenciale për persona me aftësi të kufizuara ka ngritur shqetësime për organizatat që mbrojnë të drejtat e kësaj kategorie. Sipas tyre, izolimi i fëmijëve në qendra rezidenciale është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe pengon integrimin e tyre në shoqëri.

Në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që t’i jepet në shfrytëzim një pronë publike në Graçanicë, shoqatës bamirëse “Jetimët e Ballkanit” për ndërtimin e kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, Sindromën Down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”. Organizatat joqeveritare konsiderojnë se këto shërbime duhet të jenë institucionale.

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri thotë se kanë kërkuar sqarime nga Qeveria për ndërtimin e kësaj qendre rezidenciale, por nuk kanë marrë përgjigje.

Hajdini-Beqiri: Fëmijët me aftësi të kufizuara s’duhet të jenë brenda qendrave rezidenciale

“Assesi nuk guxohet të mendohet që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë brenda qendrave rezidenciale, sepse jemi në kundërshtim me çdo ligj në fuqi dhe gjithashtu si shoqëri kemi punuar shumë vitet e pasluftës që fëmijët tanë, fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë të integruar brenda institucioneve edukativo-arsimore, të jenë të integruar brenda shoqërisë. Është herët të flasim për konceptin, sepse ne jemi dakorduar që do të mbajmë takime më tutje me zotëri Halil Kastratin që të shohim në detaje projektin. Ende nuk i kemi informatat e detajizuara se si është ideuar komplet projekti i ndërtimit të kompleksit”, deklaron Hajdini-Beqiri.

Në vazhdimësi, siç shton ajo, kanë kërkuar që institucionet të marrin përsipër shërbimet terapeutike dhe sociale.

Edhe drejtori i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu thotë se nuk janë konsultuar nga institucionet për ndërtimin e kësaj qendre rezidenciale. Ai kërkon që këto shërbime të jenë institucionale që të garantohet trajtim dhe shërbim adekuat për personat me aftësi të kufizuara.

Kadriu: Kjo qendër duhet të ofrojë shërbime institucionale

“Konsideroj se është shumë e nevojshme të jetë ajo qendër sepse duke kuptuar rëndësinë e trajtimit dhe duke kuptuar që një pjesë e konsiderueshme e personave me aftësi të kufizuara mund të mbesin pa trajtim familjar, konsideroj se si qendër është shumë e nevojshme. Por, unë mendoj që kjo qendër duhet të merr trajtimin në mënyrë institucionale, duhet të ketë trajtim shtetëror sepse në momentin kur e ka një trajtim shtetëror si institucion edhe përgjegjësitë janë më të mëdha dhe trajtimi duhet të jetë më adekuat në mënyrë që përfituesit e kësaj qendre apo banorët e ardhshëm që do të jenë në atë qendër të kenë trajtim 24 orë nga institucionet shtetërore sepse nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha Kadriu.

Drejtoresha e shoqatës “Autizmi”, Hatixhe Hoxha thotë se janë informuar që kjo qendër rezidenciale do të ndërtohet në Graçanicë.

Hoxha: Kjo qendër po ndërtohet pas kërkesave të prindërve

“Është menduar në disa lokacione por në fund pastaj pas bisedave me qeverinë, është përcaktuar lokacioni që ne e morëm informacionin që është në Graçanicë. Edhe ne kemi pasur takime edhe si shoqatë edhe përfaqësuesit tanë edhe me kryeministrin e vendit vitin e kaluar. Edhe i është kërkuar që me mbështet idenë për ndërtimin e një qendre rezidenciale. Dhe kjo krejt vjen pas kërkesave të prindërve dhe të familjeve, të cilat mund të kenë dhe kanë dy fëmijë që i kanë në shtëpi edhe që kanë raste më të rënda, edhe që prindërit që janë ose të sëmurë ose të diagnostikuar me sëmundje të rënda dhe që vetë e shohin se në një të ardhme të afërt ose të largët a do të mund të përballojnë kujdesin e trajtimit të fëmijëve. Dhe prej këtij meraku gjithmonë e kanë shtruar pyetjen dhe kanë marrë ofruar ide dhe kanë kërkuar shpesh që të diskutojmë me institucione vendore e lokale për ndërtimin e një qendre rezidenciale për fëmijët me autizëm apo me personat me autizëm”, tha Hoxha.

Ai thekson se në këtë qendër do të ofrohen shërbime për fëmijë persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.

Hoxha: Nuk është qendër vetëm për personat me autizëm

“Kemi pasur informacione që do të përfshihen persona, mund të jenë edhe fëmijë edhe adult apo të jenë persona me moshë të shtyra. Por në njoftimin që ke, zotëri Kastrati doli me njoftimin që qeveria e dha se ajo qendër do të jetë për moshat që përfshijnë fëmijët, për adult dhe ata të shtyrë në moshë. Nuk është qendër vetëm për autizëm, por është për autizëm, për Sindromën Down dhe për aftësinë e kufizuar në përgjithësi”, tha Hoxha.

Lidhur me këtë, Kp ka tentuar të merr përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në publikimin e këtij artikulli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat