Paralajmërimet e përfaqësuesve gjerman ndaj Kosovës për përjashtim nga nismat rajonale nëse nuk zhbllokohet vendimmarrja në CEFTA, po kërkohet të merret seriozisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tyre, Procesi i Berlinit dhe bashkëpunimi rajonal nuk pranon bllokadën tregtare, andaj duhet të merret parasysh kërkesa për heqjen e masave të sigurisë ndaj mallrave serbe. Mirëpo në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë për nevojën e mbajtjes së këtyre masave, derisa thonë se përjashtimi i Kosovës nga Procesi i Berlinit apo krijimi i ndonjë mekanizmi rajonal pa Kosovën do të nxiste përçarje ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, thotë se qeveria Kurti nuk duhet të sillet me arrogancë karshi kërkesave gjermane për bashkëpunim rajonal.
Sipas saj, paralajmërimet e ministres gjermane për Evropën, Anna Luhrmann dhe emisarit Manuel Sarrazin ndaj Kosovës duhet të merren seriozisht, në të kundërtën siç thotë ajo Kosova rrezikon të mbetet e izoluar në rajon.
Deliu: Paralajmërimet e gjermanëve duhet të merren seriozisht
“Paralajmërimet që i kemi dëgjuar absolutisht që duhet të merren me seriozitet dhe të trajtohen si të tilla në mënyrë që ne mos të kemi ndonjë sanksion për t’u përjashtuar nga rruga euro-integruese... Kosova duhet të veprojë në përputhje me rekomandimet që vijnë nga aleatët dhe miqtë tanë që ne të dalim fitues nga procesi i dialogut. Paralajmërimet që kanë ardhur në drejtim të Kosovës duhet të trajtohen me seriozitet dhe nuk duhet të sillemi me arrogancë në raport me kërkesat dhe nevojat që i kanë partnerët....Pavarësisht se është larg mendjes sonë duhet të trajtohet me seriozitet edhe një kërcënim nëse mundem ta quaj të tillë në raport me ecjen e Kosovës në këtë proces”, thekson Deliu.
Me shqetësim kërcënimin gjerman ndaj Kosovës e sheh edhe Violeta Haxholli nga KDI.
Ajo thotë për KosovaPress se Gjermania si inicuese e Procesit të Berlinit dëshiron që në samitin e radhës në muajin tetor, të ketë hapa konkret për tregun e përbashkët rajonal, andaj nuk dëshiron bllokada tregtare ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, ajo e sheh si të pamundur rikthimin në tavolinë të Ballkanit të Hapur, si nismë për bashkëpunim rajonal.
Haxholli: Procesi i Berlinit nuk e pranon bllokadën tregtare
“Procesi i Berlinit nuk e pranon bllokadën tregtare, pasi është në kundërshtim me frymën e procesit të Berlinit dhe marrëveshjen CEFTA-s. Në shumë nene nuk lejohet që të ketë bllokadë në produktet e një vend i rajonit, s’duhet të ketë pengesa në lëvizjen e mallrave në produktet e njëra-tjetrës... Procesi i Berlinit është e vetmja iniciativë zyrtare e pranuar nga Gjermania dhe vendet e rajonit që janë pjesë. Ballkani i Hapur është kundërshtuar nga disa shtetet të rajonit, Kosova ka qenë njëra prej tyre që se ka pranuar këtë iniciativë. Ajo deri tani nëse ka filluar të zhvillohet paralelisht me Procesin e Berlinit nuk ka gjetur përkrahje në mesin e aktorëve ndërkombëtarë. Nuk mund të dimë modalitetitet që do të përdoren, por një gjë është e qartë se duhet të ketë një përkushtim më të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar zotimet që i kanë marrë në kuadër të Procesit të Berlinit”, deklaron Haxholli.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, thotë se Sarrazin apo kushdo tjetër mund të kërcënojnë Kosovën për largim nga nismat rajonale, mirëpo një gjë e tillë është e vështirë të ndodh.
Kryeziu e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, thotë se nëse krijohet një mekanizëm i ri rajonal pa Kosovën, atëherë ky nuk do të krijohet për të afruar shtetet drejt BE-së por të për të shtuar edhe më shumë përçarjen brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeziu: Përjashtimi i Kosovës nga bashkëpunimi rajonal do të nxitë përçarje
“Sarrazin mund të jap deklarata të tilla ose akterë individual të BE-së mund të thonë një gjë të tillë, por kjo nuk është e lehtë të ndodh. Procesi i Berlinit para se gjithash është bërë për t’i ndihmuar shteteve të Ballkanit Perëndimor që të orientohen dhe të ecin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo vlen për shtetet të cilat tashmë kanë treguar demokraci brenda për brenda dhe kanë shënuar progres në reformat në vendin e vet dhe s’mundesh të largosh kaq thjeshtë prej një procesi një shtet që është më demokratik në rajon... Nëse mendohet të krijohet një plan krejtësisht i ri atëherë ky nuk do të krijohet për të afruar shtetet drejt BE-së por do të krijohej për të shtuar edhe më shumë përçarjen brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor”, nënvizon ajo.
Në prag të samitit të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor, Gjermania po insiston që Kosova të largoi masat e sigurisë ndaj mallrave serbe, të vendosura pas sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.
Sipas tyre, pas largimit të këtyre masave do të zhbllokohej organizata rajonale CEFTA, ku po ashtu do të hiqej përfaqësimi i Kosovës nga UNMIK.
Qëndrimin e njëjtë e shprehu gjatë kësaj jave edhe ministrja gjermane Evropë dhe Klimë Anna Luhrmann, gjatë qëndrimit në Kosovë.