Ngritja e pagës minimale, shkundje e ekonomisë apo sjellje e votave?

Aktuale

Ngritja e pagës minimale, shkundje e ekonomisë apo sjellje e votave?

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 21:38
Ilustrim

Ngritja e pagës minimale 350 euro është e pamjaftueshme sipas ekonomistëve. Madje sipas tyre, kjo lëvizje e qeverisë është për të sjellë vota në prag të fushatës zgjedhore

Paga minimale u ngrit në 350 euro.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e mori në fund të muajit gusht.

Kështu, sipas Administratës Tatimore të Kosovës,  rreth 115 mijë të punësuar të cilët po merrnin pagë më të ulët se 350 euro, u prekën nga ky ndryshim.

E kjo kategori përfshin 28.8 për qind të fuqisë punëtore.

Por këtë vendim të qeverisë, në kohë të parafushatës zgjedhore, e kritikon ekonomisti Mustafë Kadrijaj.

“Kjo pagë 350 euro është dashtë para 4 viteve të rritet. Por kryeneçësia e qeverisë aktuale, mospërfillja nga ana e thirrësve, të njohësve të ekonomisë, pra tani kur po shihet që u caktua data e zgjedhjeve, tash po tenton në njëfarë mënyrë ta rikuperojë vetveten qeveria, por diçka vonë…”, thotë ekonomisti Mustafë Kadrijaj.

Tutje Kadrijaj thekson se kjo rritje nuk është rekomandim i Këshillit Socio-Ekonomik, as i punëdhënësve ose i punësuarve, por i qeverisë.

“Tani ka bërë rritjen prej 100 euro  me vendim të qeverisë, jo me vendim ligjor. Pra nuk ka bazë ligjore por ka vendim të qeverisë. Që nuk do të thotë se është diçka e keqe por diçka që nuk do ta arrin qëllimin final në interes të jetës së qytetarit dhe punëtorit në përgjithësi në Kosovë”, thotë ai.

Se me këtë pagë është vështirë t’ia dalin qytetarët e thotë edhe ekonomisti Jakup Bellaqa.

Me 350 euro bruto paga minimale nuk është e mjaftueshme sepse ende është më e vogla në rajon.

Ndërsa sa i përket taksave, aktualisht vendimi po zbatohet për personat që paguhen mbi 250 euro.

E sipas Bellaqës, buxheti i shtetit po dëmtohet me miliona euro.

Prandaj ekonomisti ka një thirrje për qeverinë.

“Punëtorët nuk dëmtohen, praktikisht as në sektorin privat as në sektorin publik. Ndërsa punëdhënësit munden me u dëmtu edhe buxheti i Kosovës. Sipas disa të dhënave, diku 27 milionë euro dëmtohet buxheti i Kosovës. Automatikisht duhet të ngritet deklarimi në 350 euro”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka pretenduar se edhe paga e re minimale nuk do të tatohet, duke nxitur spekulimet se mund të ndryshohet ligji për taksat pas ardhjes përsëri në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat