Veriu shpenzoi 8 milionë euro rrymë për 7 muaj, por pagoi vetëm 600 mijë euro

Aktuale

Veriu shpenzoi 8 milionë euro rrymë për 7 muaj, por pagoi vetëm 600 mijë euro

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 21:57
Mitrovica

Sipas një përgjigjeje të ZRRE-së për 7 muaj në veri të Kosovës janë shpenzuar mbi 8 milionë euro energji elektrike, por pagesa janë bërë vetëm në vlerë të rreth 600 mijë euro. Përfaqësuesit politik akuzojnë qytetarët për mos pranim të vendosjes së orëve, dhe kompaninë për mos kryerjen e plotë të obligimeve. “Elektrosever” heshti edhe këtë të enjte.

Punëtorët e kompanisë Elektrosever, vazhdimisht dalin e kthehen nga tereni.

Të njëjtit, tashmë e kanë obligim të vendosin orët e energjisë elektrike, të regjistrojnë energjinë e shpenzuar, dhe të shkëpusin ata të cilët nuk e paguajnë atë në tërë veriun e Kosovës.

Kur janë bërë 7 muaj që nga fillimi i këtyre obligimeve, qytetarët në atë pjesë kanë filluar ta paguajnë energjinë elektrike, ani pse me një diferencë të madhe me atë që e kanë shpenzuar.

“Sipas detyrimeve ligjore, Elektrosever obligohet të raportoj në Zyrën e Rregullatorit për Energji në baza mujore. Sipas raporteve të pranuara për shtatë mujorin e parë të këtij viti, janë faturuar 113,941,547  kËh, shprehur në euro 8,298,224€, ndërsa pagesa nga energjia e faturuar është  631,804€”, thuhet nga ZRrE

Por, kjo kompani po has në probleme të mëdha në teren.

“Në disa lagje nuk i kanë leju qytetarët, siç është lagjja e Suhodollit, lagjja e  Boshnjakëve, qe besa edhe ne lagjen e Kroit të Vitakut nuk i kanë leju qytetarët të shtrijnë kontrollin ose të vendosin orët për shpenzimin e rrymës”, tha Betim Osmani, asamblist i Komunës së Mitrovicës Veriore.

Osmani jep edhe disa nga arsyet që qytetarë kanë vepruar kështu.

“Një ndër ato ishte që, pse në këtë kompani nuk është asnjë nga komunitetet tjera, po vetëm të komunitetit serb”, vijoi ai.

Kurse raportimet për shpërndarje të faturave të shkruara në serbishten cirilike dolën të sakta, u panë edhe në një faturë të siguruar nga Tv Dukagjini.

E njëjta ishte e shkruar edhe në gjuhen shqipe.

Kurse problem sipas Nexhat Ugljanin është mosvendosja ende e matësve të shpenzimit të energjisë dhe mos nënshkrimin e kontratave me konsumatorët.

Për këtë arsyeje thotë që ende vazhdon faturimi paushallë, sidomos tek bizneset.

“Bizneset, shumica i vjen fatura paushall,  në vlerë me 54 euro ose më shumë, por ne nuk i ikum si qytetarë shërbimeve dhe obligimeve që i kemi nga elektrosever”, tha Nexhat Ugljanin, Kryesues i Kuvendit Komunal të M.V.

Ndërkaq, për këtë çështje Dukagjini ishte edhe tek kompania Elektrosever.

Ani pse nga punëtorët e kësaj kompanie u tha se drejtuesit janë brenda dhe janë lajmëruar për prezencën dhe kërkesën e televizionit për intervistë, pas një pritje afro 30 minuta nuk dhanë ndonjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat