Nxënësit nga Kosova Lindore mbesin pa libra, e-Kosova ua pamundëson aplikimin

Aktuale

Nxënësit nga Kosova Lindore mbesin pa libra, e-Kosova ua pamundëson aplikimin

Më: 22 shtator 2024 Në ora: 22:49

Nxënësit të cilët vijnë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja  e të cilët mësojnë në shkollat në Kosovë ende nuk kanë marrë parat për blerjen e librave. Nga Komuna e Fushë Kosovës bëjnë më dije se për shkak të sistemit e- Kosova këta fëmijë ende nuk i kanë blerë librat

Edhe këtë vit, prindërve të nxënësve në shkollat fillore iu desh ta bënin vetë furnizimin me libra.

Kjo duke marrë subvencione nga Ministria e Arsimit për blerjen e tyre.

Por edhe pse është java e tretë që nga fillimi i vitit të ri shkollor nxënësit të cilët vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, nuk kanë marrë mjetet e dedikuara për tekste shkollore.

Kjo pasi  platforma e-Kosova nuk u lejon të aplikojnë për faktin se nuk janë shtetas të Kosovës.

Një problem i tillë është evidentuar edhe në shkollën “Selam Riza” në Fushë Kosovë.

“E vetmja problematikë sa e di është për familjarët që janë nga lugina e Preshevës e Medvegjës që jetojnë në Fushë Kosovë ata paraqesin një problem të vogël, sot ishim në mbledhje dhe u dakorduam për këtë pjesë dhe drejtori na dha një mesazh qe edhe për ata nxënës që nuk kanë mundur të sigurojnë librat përmes subvencioneve të bëjmë një listë dhe të shohim a mundem të sigurojmë disi. Të dhëna të sakta për këtë vit nuk kemi sepse jemi në proces e sipër sepse jemi hala në proces të finalizimit të numrit total, sepse  kemi dyndje ardhje, edhe dje kemi pas regjistrim është një numër diku 50-60 nxënës”, tha Esad Simnica, drejtor i shkollës.

Edhe drejtori i arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, ka bërë të ditur se një numwr i nxënësve që vijnë nga këto qytete janë në pritje për të marrë parat.

“Kemi të bëjmë me dy nivele, njëri prej tyre kemi të bëjmë me nxënës apo prindër qe vijnë nga Lugina, sistemi e- Kosovë këtë vit ia ka pamundësu aplikimin në E-Kosova. Njëkohësisht është edhe një problem tjetër që është shfaq, në shumicën e rasteve prindërit të cilët janë divorcuar nxënësit kanë pasur probleme pasi në momentin që ka aplikuar ka dalë që prindërit janë të divorcuar. Numri i nxënësve që janë në pritje e sipër rezulton afër 50”, tha Fatlum Berisha drejtor i DKA-së në Prishtinë.

E probleme me e- Kosovën patën edhe pjesëtarët e komuniteteve, romë, ashkali, e egjiptas.

Por të cilëve iu dolën në ndihmë organizatat joqeveritare.

“Sa përket aplikimit për libra, një pjesë e madhe e prindërve nuk kanë ditë qysh me apliku, por ne si organizata që jemi, ju kemi ndihmuar që të aplikojnë që të mos kenë vështirësi, por kemi pas vështirësi tek prindërit që e kanë harru paswordin e platformës e-Kosova”, tha Rrahman Stullaku nga Balkan Sunflowers  Kosova

Tëvë 1 ka kërkuar sqarim edhe nga Ministria e Arsimit se si do të ndahen mjetet për prindërit e nxënësve që nuk janë shtetas të Kosovës por nuk ka marrë përgjigje.

Qeveria e Kosovës këtë vit, ka ndarë afër 14  milionë euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat