Kush i mori Cen Deskun e Jakup Kastratin? Demush Krasniqi jep versionin e tij në Hagë: Po kishte emblema të UÇK-së..

Aktuale

Kush i mori Cen Deskun e Jakup Kastratin? Demush Krasniqi jep versionin e tij në Hagë: Po kishte emblema të UÇK-së..

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 06:57 Përditësuar në ora: 13:37 më 23.09.2024
Demush Krasniqi

Demush Krasniqi: Fëmijëve që lindin ua vëmë emrin e Thaçit në Kosovë, jemi krenarë

Dëshmitari Demush Krasniqi gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se roli i Hashim Thaçit për popullsinë shqiptare është i madh dhe se emrin e të akuzuarit ia vendosin fëmijëve në Kosovë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, Demush Krasniqi tha se janë krenar me emrin e tij pasi që Thaçi është personi që e ka shpallë pavarësinë e Kosovës,

“Nuk ka shqiptar që nuk e di rolin e Hashim Thaçit pas luftës. Jemi krenarë me emrin e tij. Na e ka shpallë pavarësinë. Prej Rambujesë e knenaj tani dihet vepra e puna e Hashim Thaçin për popullin shqiptar të Kosovës. Bile ne edhe fëmijët që lindin iu vëmë emrat e Hashim Thaçit në Kosovë”, tha Demush Krasniqi.

Krasniqi tha pas lufte është informu se çfarë roli ka pas Thaçi  gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

“Po tash pas lufte jam informu. Në Rmabuje e kam pa për herë të parë në televizor Hashim Thaçin. Ka qenë në Drejtorinë Politike”, tha dëshmitari duke mohuar se kishte dijeni për një pozitë të tillë gjatë luftës.

Ai mohoi se kishte dijeni për pozitën që kanë pasur gjatë luftës edhe tre të akuzuarit e tjerë.

Demush Krasniqi: Gani Krasniqi dhe Isni Kilaj s’kanë pasur rol në arrestimin e Deskut dhe Kastratit

Dëshmitari Demush Krasniqi gjatë dhënies së dëshmisë të hënën në Hagë, tha se Gani Krasniqi dhe Isni Kilaj nuk kanë pasur rol në arrestimin e Jakup Kastratit dhe Cen Deskut.

“Nuk ka pas asnjë rol për marrjen e Jakupit dhe Cenit”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, mohoi se ai, Fehmi Kryeziu dhe Skender Hoti kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje me Cen Deskun dhe Jakup Kastratin.

Më pas, me pyetje vazhdoi sërish avokti Thaçit, Luka Mishetiq, i cili e pyeti dëshmitarin se nga e dinte që Gani Krasniqi nuk ka pas rol në arrestimin e Dskut dhe Kastratit.

“Po, kur nuk ke informacion thu ‘jo’. Nuk e di “, u përgjigj dëshmitari.

Pas kësaj, avokatja e Veselit, Ann Rowan kërkoi nga trupi gjykues zëvendësimin e një përkthimi të një prove me një përkthim të ri.

Për këtë, nuk pati kundërshtime dhe kjo gjë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Pas përfundimit të dëshmisë së Demush Krasniqit, gjykatësi Smith tha se për nesër nuk kanë ndonjë dëshmitar dhe se me dëshmitarin e radhës do të vazhdojnë të mërkurën (25 shtator 2024).

Dëshmitari: Nuk i kemi arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin, as Thaçin s’e kemi parë atë ditë

Dëshmitari Demush Krasniqi tha se nuk është e vërtetë që se ata e kanë arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin.

Kjo deklaratë e dëshmitarit Krasniqi erdhi pasi mbrojtja e Thaçit i tha atij se në shumë media ka dal që ai së bashku me Fehmi Kryeziun dhe Skënder Hotin kishin arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

“Shumë media, kanë raportu për arrestim që ne i kemi arrestu. Nuk është e vërtetë. Edhe në deklaratën e parë dhe të dytën iu kam thënë ju lutem mos e përmendeni fjalën arrestim se nuk është e vërtetë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se Hashim Thaçin nuk e kishte parë atë ditë kur ishin marrë dy personat e lartpërmendur me veturë.

“Nuk ka qenë. Nuk e kam pa dhe nuk ishte”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka parë ndonjë urdhër me shkrim për arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastrati.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i kujtoi dëshmitarit se i ka thëne ZPS-së që ai ka qenë duke qëndrua në rrugë me dy personat e tjerë kur ka arrit një veturë e cila i mori Deskun dhe Kastratin. Ndërsa për veturën që iu bashkua veturës së parë ai tha se nuk e din a kishin lidhje me njëra-tjetrën.

“Po kishte emblema të UÇK-së”, tha dëshmitari për veturën e parë kur u pyet se si dukej ajo veturë.

Më pas, dëshmitari u pyet se nga e dinte se vetura ishte e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Personat që dolën nga vetura ishin dy ushtarë edhe neve na panë duke  bisedu aty. Ishim unë, Skënder Hoti, Fehmiu dhe disa ushtarë. Na thanë kemi ardhë t’i marrim dy njerëz që janë në shtëpinë e OSBE-së këtu. Nuk e kemi ditë për kë është fjalë. Nga ne shkoi Fehmiu se ishte me i ri- trokiti në derë dhe i thirri. Kur dolëm i pam kush janë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka pas në veturë mbishkrim ‘Shtabi i Përgjithshëm’.

Dëshmitari mohoi se nuk ka dijeni se kush ishin ata ushtarë që erdhën me veturë.

“Veç me thanë që kemi ardhë me i marrë dy njerëz këtu dhe mendum që ishin njerëzit e tyre që i kanë pru këtu edhe po i marrin prapë”, tha ai.

Mishetiq insistoi serish në pyetjen e tij se nga e dinte se këta ushtar ishin nga Shtab i Përgjithshëm.

“Po na u prezantun ashtu. Kurrfarë shenjë dalluese nuk ka qenë por vetëm prezantimi i tyre”, tha dëshmitari.

Mishetiq i kujtoi dëshmitarit se Prokurorisë së Kosovës i kishte thënë që ata nuk ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm por që ishin thjeshtë ushtarë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu, ai i kujtoi dëshmitarit se ai kishte thënë se nuk ishte në dijeni se ku i kishin mbajtur të ndaluar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin.

“Po kam qenë prezent”, tha dëshmitari kur u pyet se a ishte i pranishëm në lirimin e Jakup Kastratit dhe Cen Deskut.

Tutje, dëshmitari mohoi se ishte në dijeni që Jakup Kastrati kishte thënë që ai ishte njëri nga personat që ishte përfshirë në arrestimin e tij

Gjithashtu, Mishetiq i tha dëshmitarit se Jakup Krasniqit i kujtohet që i kë thënë atij që keni urdhra për ta arrestuar atë dhe duhet të zbatohen urdhrat. Një gjë të tillë e mohoi dëshmitari.

“Në mesin tonë ka pas shumë njerëz të LDK-së edhe në UÇK. Nuk na ka pengu ajo aspak”, tha dëshmitari kur u pyet se a janë të vërtetë zërat që këta dy persona ishin arrestuar si anëtar të LDK-së.

“Unë kam mëndu që janë marrë si arsimtarë e që të bisedohet me ata”, tha dëshmitari.

Veç kësaj, dëshmitari pohoi se ‘Njësiti Lumi’ është krijuar nga Gani Krasniqi që ishte një person me autoritet në zonë.

Dëshmitari e pohoi një gjë të tillë dhe tha se Gani Krasniqin e ka njohur prej para lufte se ishte i burgosur politik dhe janë afër me fshatra.

Ai pohoi se ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kryesisë në fshatin e tij.

“Deri në fillim të luftës unë kam qenë në LDK”, tha dëshmitari duke shtuar se iu është bashkuar shokëve në UÇK.

Dëshmitari pohoi se për ZPS-në ka thënë se është shok edhe me Isni Kilajn dhe se  kishte shkuar në shtëpinë e tij për t’i uruar rrugë të mbarë ndërkohë që ai po përgatitej në Hagë.

“Patjetër, e kam pas shok”, tha dëshmitari.

Ai pohoi se krahas njësitit ‘Lumi’ ka qenë edhe njësiti ‘Çeliku’ i cili ka qenë i drejtuar nga Fatmir Limaj. Por, nuk u dëgjua përgjigja e tij kur u pyet se a ka pas rivalitet në mes këtyre dy njësiteve.

Mishetiq i tha dëshmitarit se për ZPS-në kishte thënë se gjatë kohës sa ishte ushtar në njësitin ‘Lumi nuk i kujtohet të ketë parë ndonjë vizitë të ndonjë komandanti-eprori të UÇK-së.

Ndërsa, për inkuadrimin në Policinë Ushtarake, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se kishte marrë ftesë nga një ushtar tjetër në njësitin ‘Lumi’.

Gjithashtu, ai kishte thënë që personi që e ftoi të kyçej në Policinë Ushtarake ishte ushtar i thjeshtë dhe se pse iu kishte bërë dëshmitarit kjo ftesë ishte për shkak se ai konsiderohej si personi më i madhe në moshë.

Të gjitha këto i pohoi dëshmitari duke përfshirë edhe faktin se i ka thënë ZPS-së që ishte pozicionuar në pozitën e zëvendëskomandantit të Policisë Ushtarake të skuadrës së Brigadës 122 dhe që ishte kyçur në Policinë Ushtarake në Dragobillë.

Dëshmitari tha se nëse nuk gabon, në kohën kur ishte kyçur në Policinë Ushtarake kishte rënë borë.

Sipas Mishetiq, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se detyrat e tij në Policinë Ushtarake nuk përfshinin arrestimin e personave dhe nuk kishte autorizim që të arrestonte ushtar si puna e tij. Kjo gjë u pohua nga dëshmitari me kokë edhe pse përgjigja e tij nuk u dëgjua.

Gjithashtu ai pohoi me kokë por nuk u dëgjua pyetja e tij kur Mishetiq i tha se për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se ai nuk kishte marrë asnjëherë urdhra me shkrim dhe asnjë listë për persona që konsideroheshin si të dyshuar duke përfshirë edhe pjesëtarët e LDK-së,  kur ai ishte pjesë e Policisë Ushtarake.

Dëshmitari Krasniqi: Porosia e miqve dhe shokëve ishte t’i përshëndes krerët e UÇK-së, ZPS interesohet se kush janë ata

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmu si ish-UÇK-së kam pas shumë mysafir, me kanë përcjellë shumë veteran e në mesin  e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a muna ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.

Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyrë. Dëshmitari  tha që ata që e përcjellën për të ardhë në Hagë.

Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.

“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.

“E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë u vonojsha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për me kanë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepshin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vanu e nuk është ardh me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka ‘Demush Laci’ për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.

Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Fillon dëshminë Demush Krasniqi, ZPS: Ishte i pranishëm kur u liruan Cen Desku dhe Jakup Kastrati

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, i njëjti kishte qenë i pranishëm kur ishin liruar Cen Desku dhe Jakup Kastrati.

“Dëshmitari 03885 u kyç në njësitin Lumi në Balincë të Malishevës rreth majit të 1998-ës. Më pas, shërbeu si anëtar i Policisë Ushtarake në Brigadën 122 përfshirë edhe Zonën e Dragobillës. Dëshmitari 03885 ka qenë në Dragobillë me Fehmi Kryeziun dhe Skënder Hotin kur një veturë me shenja të UÇK-së mbërriti me dy ushtar që u prezantuan si pjesëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe i kërkuan dëshmitarit 03885 dhe të tjerëve të shkonin dhe të thërrisnin dy persona që të merrnin pjesë në një mbledhje me OSBE-në. Dëshmitari 03885 dhe të tjerët morën Jakup Kastratin dhe Cen Deskun nga një takim dhe i shoqëruan tek vetura. Kastrati dhe Desku hyn në veturë. Një veturë tjetër u shfaq më pas dhe të dyja veturat u larguan së bashku. Dëshmitari 03885 ka qenë i pranishëm kur Kastrati, Desku dhe të tjerët u liruan rreth një muaj pasi i kishin marrë prej Dragobillës”, tha prokurori.

Tutje, prokurori tha se Krasniqi do të jep dëshmi edhe sa i takon rolit të tij në UÇK, vijave të raportimit të njësive të UÇK-së etj.

“Dëshmitari 03885 po ashtu jep informata sa i takon rolit të tij dhe të tjerëve në UÇK si dhe konstruktuarës, veprimtarive, kompetencave dhe Zonave të Përgjegjësisë dhe vijave të raportimit të njësive të UÇK-së përfshirë njësitin Lumi, Brigadën 121 dhe 122 si dhe njësitë e Policisë Ushtarake të UÇK-së”, tha prokurori.

“I qëndroj mbrapa”, tha dëshmitari kur u pyet se deklaratat që ka dhënë për Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe ZPS-në a pasqyrojnë realitetin.

Tutje, dëshmitarit iu tha se në deklaratën për Prokurorinë kishte thënë se kur u kyç në Policinë Ushtarake ia dhanë një mantel të zezë me një emblemë.

Ai pohoi se iu ishte dhënë një kartelë që tregonte se ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas kësaj, iu prezantua nja fotografi për të cilën dëshmitari tha se ngjasonte me kartelën që ai e kishte.

Në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për autoritetet e hetuesisë.

Para se të fillojë dëshminë e tij, Demush Krasniqi kërkoi nga gjyqtari fjalën duke thënë se dëshiron që të prezantoj një rregull të familjes se tij.

“Dua të ua prezantoj një rregull të familjes sime a bën?. Ngjarje familjare…”, tha dëshmitari.

Për këtë, kryegjyqtari Charles Smith III tha se nuk ka kundërshtime por ta bëjë këtë gjë pasi t’i përfundojë prokuroria pyetjet e tyre.

“Nuk kemi kundrështim, por të mbarojë Prokuroria me pyetjet dhe pasi të përfundojë prokurori mund ta bëni deklaratën tuaj”, tha kryegjyqtari.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjas rreth gjysmë dite e që nga kjo kohë, gjysmë ore i ka kërkuar Prokuroria për pyetjet e veta. Ndërsa, mbrojtja ka parashtruar se i duhen rreth dy orë e 30 minuta për kundërpyetje.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se ka ndryshime në orarin e seancës të se enjtes. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë vetëm për një orë duke filluar nga ora 13:00 deri në orën 14:00 e që seanca e pas pushimit do të zgjasë vetëm deri në orën 15:00.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Hashim Thaçit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 88-të në gjykimin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari u dëgjua e gjitha në sesion privat për publikun, duke përfshirë edhe kundër-pyetjet e mbrojtjes.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Filipo De Miniçis dëshmitari ishte arrestuar nga anëtarët e UÇK-së dhe ishte dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe do të japë dëshmi sa i takon vdekjes së një personi atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat