Arbër Rexhaj, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, vuri në dukje se paralajmërimi i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pason edhe paralajmërimet e Policisë së Kosovës, të cilat ishin bërë nga drejtori i Policisë rreth një vit më parë.
“Paralajmërimi i ministrit të mbrojtjes dhe FSK-së, Maqedoncit ,sigurisht vjen pas paralajmërimeve edhe të Policisë , nga drejtori i Policisë së Kosovës, i cili këtë paralajmërim e ka bërë shumë më herët , diku para një viti e pak , në një komunikatë për media, tha Rexhaj.
Rexhaj theksoi se aktivitetet e grupeve terroriste janë dokumentuar përmes kamerave, duke treguar se ata jo vetëm që ushtrohen, por gjithashtu marrin paga mujore për trajnimin e tyre nga ish-oficerë të ushtrisë. Ai paralajmëroi se këto grupe veprojnë me synimin për të sulmuar Republikën e Kosovës.
“Tashmë edhe përmes kamerës edhe mjeteve filmike është dokumentuar që pra këta terroristë, jo vetëm që ushtrohen por edhe marrin pagë mujore dhe këto ushtrime i bëjnë nëpër kazermat e ushtrisë nga ish oficerë e ish ushtarak të cilët ata i trajnojnë prandaj ne e kemi paralajmëruar këtë gjë, edhe para faktorit ndërkombëtar dhe natyrisht derisa ata ushtrojnë ne e kemi rastin e Banjksës ku dihet se ata nuk e bëjnë këtë gjë për rekreacion po për ta sulmuar Republikën e Kosovës”, u shpreh Rexhaj.
Pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Rexhaj shprehu shqetësim se mund të ndodhin incidente të ngjashme në të ardhmen. Ai theksoi nevojën për një analizë të thelluar të sigurisë, duke pasur parasysh se ish-terroristët që ishin të involvuar në Banjskë ende nuk janë ndëshkuar për veprimet e tyre. Kjo situatë sipas tij ngrit shqetësime serioze për mundësinë e përsëritjes së një sulmi të ngjashëm
“Pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku mendoj që Banjska mund të përsëritet ndoshta jo tash për tash mirëpo duhet parë analizën e sigurisë që na thotë , atje po ushtrojnë ish terroristë të cilët kanë marrë pjesë në rastin e Banjksës dhe ende nuk kanë gjykuar për veprime që i kanë bërë kundër republikës së Kosovës natyrisht që kjo shpie në mendimin që kjo edhe mund të përsëritet”, përfundoi Rexhaj.