“Trima kanë qenë, trima kanë shku”- Rrëfimi heroik i motrës së Adem dhe Hamzë Jasharit, e cila ndërroi jetë sot

Aktuale

“Trima kanë qenë, trima kanë shku”- Rrëfimi heroik i motrës së Adem dhe Hamzë Jasharit, e cila ndërroi jetë sot

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 09:49
Hava Jashari-Gashi

Hava Jashari-Gashi, motra e Adem dhe Hamzë Jasharit, kishte rrëfyer takimin e fundit me Hamzën një javë para se të binin heronj që të dy për vendin.

Në rrëfimin e saj Hava Gashi, e bija e Shaban Jasharit, tregon se gjatë gjithë jetës në këtë familje kryefjalë ishte atdhedashuria.

Brenda dhomës ku kalon pjesën më të madhe të kohës, e ka të vendosur fotografinë e dhembjes e të krenarisë.

Për më shumë se 2 dekada, Hava, e bija e Shabanit dhe motra e komandantit Adem Jashari i kujtonte çdo ditë heronjtë e saj, që tash si të tillë i njeh e gjithë Kosova dhe jo vetëm.

“Ja dhashë një parë çorapa. Ami tha motra jem le t’më qëllojnë, se me dalë në mal i mathi. Edhe s’ma rroki qaq fortë, thashë pse më tha ashtu? Kur u ba një javë ditë… Por, njeri po u përforcojke edhe… Ja fillum qisaj pune, të lumtë ata janë mbetë në histori, trima janë kanë boll, trima janë shku, trima kanë me mbetë”, kishte thënë ajo në rrëfimin e saj.

Motra e madhe e familjes legjendare Jashari, ka vdekur sot.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me anë të një njoftimi në ‘Facebook’.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të nënës, motrës, hallës sonë të dashur, HAVA (SHABAN) JASHARI-GASHI, e cila u largua nga kjo botë sot”, ka shkruar Jashari.

“Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e përkushtuar ndaj familjes dhe të dashurëve të saj, e cila na la pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm”.

Jashari ka bërë të ditur se ceremonia mortore e së ndjerës do të mbahet sot nga ora 16:30, në varrezat e fshatit Kryshevc të Skenderajt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat