Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla mori pjesë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur në New York, në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, Gërvalla paraqiti perspektivën e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit në BE dhe theksoi se/:
“Kosova është prijëse e dëshmuar e rajonit si në fushën e sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, ashtu edhe në rritje ekonomike dhe se është vendi me përkrahjen më të madhe qytetare për BE-në dhe NATO-n”.
Gërvalla ftoi grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor“ të përkrahë aplikimin e Kosovës për në BE dhe të ndihmojë konkretisht në trajtimin e kërkesës së dhjetorit të vitit 2022 duke vënë në pah faktin që nuk duhet lejuar Rusia dhe aleatët e saj në rajon të diktojnë ritmin e zgjerimit të BE-së.