“Të kujtojmë! Lavdi heronjve” është sllogani i vendosur në një pankartë në Serbi, me rastin e 1-vjetorit të agresionit serb në Banjskë të Zveçanit.
Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka thënë se në këtë mënyrë Serbia po e feston sulmin terrorist so një akt heroik.
Derisa ka akuzur autoritetet për nxitje të urrejtjes dhe festimin e veprave terroriste, ai ka bërë një krahasim mes shënimit të këtij agresioni dhe mënyrës sesi udhëheqësit palestinezë festojnë aktet e Hamasit.
Në postimin e tij shihet edhe pankarta që përkujton sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar me sloganin: "Të kujtojmë! Lavdi heronjve."
“Në përvjetorin e sulmit terrorist në Kosovë/Banjska të organizuar nga Aleksandar Vuçiq, në Serbi ai sulm festohet si akt heroik, organizuar nga partia në pushtet: ‘Të kujtojmë! Lavdi heronjve nga Banjska’. Qëllimi është i njëjtë me atë kur udhëheqja palestineze feston terrorizmin e Hamasit: të ruajë urrejtjen për konfliktet e ardhshme”, ka shkruar Stojkoviq në X.
Kujtojmë se Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për agresionin ndaj Kosovës, ku më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ai kërkohet nga Interpol, por vazhdon të endet i lirë në Serbi.