Pak pas mesnatës së 24 shtatorit, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Kjo rezultoi me vrasje e plagosje të policëve.
Të armatosur deri në dhëmbë, kriminelë serbë kishin hyrë brenda territorit të Kosovës.
24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e Kosovës. Policia e Kosovës u përball me sulm terrorist.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure, e si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy policë të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se në Banjskë të Zveçanit po sulmohet shtetësia e vendit. Njoftoi edhe për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Krismat u dëgjuan edhe pasi zbardhi dita, sulmi nuk po përfundonte me kaq.
Terroristë serbë me veshje ushtarake ishin vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Këtij grupi po i printe kryeterroristi Millan Radojiqiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje.
Konfrontimi me Policinë e Kosovës vijoi përgjatë gjithë ditës së 24 shtatorit, ku është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi. Ndërkohë që forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, por tek në orët e vona të së dielës u mor nën kontroll manastiri, derisa shumica dërrmuese e grupit terroristë u arratisën nëpër rrugët malore për në Republikën e Serbisë.
Familja Bunjaku që nga mëngjesi hapi dyert për ngushëllime.
Gani Bunjaku, axha i Afrim Bunjakut: Krenari është të mbrosh çdo pëllëmbë të këtij shteti
"Krenari është të mbrosh çdo pëllëmbë të këtij shteti tonë që me vonesë e kemi fituar dhe ta mbrojmë me çdo kusht, me çdo pikë të gjakut tonë ta mbrojmë...gjithherë kam pasur kontakte sa herë ka shkuar, se këtu kam shtëpiat. Çdoherë kam biseduar me të, ka thënë 'krenar po e ndjej vetën që po shkoj atje dhe po i shërbej vendit tim'. Çdoherë me vullnet ka shkuar edhe faktikisht u vërtetua se edhe Zoti ka dashur që ata ta shpërblejë me titullin e heroit të kombit të vet", përfundoi ai.
Nga shtëpia e heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në betejën për rend dhe ligj, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
Kurti: Pikëllimi është i thellë
"Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetueshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për të gjithë pa dallim kundër kriminelëve dhe terroristë të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Për këtë sulm reaguan edhe ndërkombëtarët, megjithatë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokal”.
Me ceremoni e nderime të larta shtetërore u varros Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ku morën pjesë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj.
Osmani: Afrimi prej sot është hero i secilit shqiptar
“Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës”, tha presidentja Vjosa Osmani në varrimin e Afrim Bunjakut.
25 shtatori u shpall ditë zie për Kosovën.
Automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës, harta e artileri të rëndë, por edhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.
Policia një ditë pas përfundimit të operacionit ekspozoi çfarë gjeti në Banjskë.
Sveçla: Plani i Serbisë për destabilizimin e Kosovës ka dështuar
“Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë”, ka deklaruar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
Hoxha: Operacioni i djeshëm ka qenë më i madhi dhe më i suksesshmi që nga paslufta
“Personat të tjerë të dyshuar që në bazë të pamjeve të siguruara mund të ishin rreth tridhjetë persona kanë arritur të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës duke lënë prapa automjetet e tyre që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete dhe një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota. Në brendi të automjeteve gjendej një sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm, raketa hedhës si dhe dhjetëra uniforma, të cilat dyshohet që personat e armatosur i kishin zhveshur me qëllim që të infiltrohen më lehtë në mesin e civilëve”, deklaroi Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës.
Institucionet vendore kanë kërkuar disa herë nga aleatët ndërkombëtarë që t’i bëjë presion Serbisë për të dorëzuar kriminelët e Banjskës. Dy herë radhazi përmes Ministrisë së Drejtësisë, institucionet i janë drejtuar Serbisë me kërkesën për ofrim të provave. Serbia ka refuzuar, madje ka kërkuar që autoritetet vendore të dorëzojnë provat që ka Kosova për sulmin në Banjskë.
Në fillim të këtij muaji, gati pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe financim të grupit, shpëlarje të parasë.
Në një vjetorin e sulmit në Banjskë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë për tri ditë.