Gjatë fundjavës u bë publike ideja e krijimit të një shteti Bektashi brenda Shqipërisë, i ngjashëm me modelin e Vatikanit.
Rreth kësaj teme ka folur eksperti në çështjet e sigurisë, Avenir Peka i cili jep këndvështrimin e tij në qëllimin e kësaj lëvizje.
Peka shprehet se përmes kësaj po bëhet përpjekje që të krijohet precedenti për statusin e ardhshëm të Kishës Serbe në Kosovë. Kjo sipas ekspertit hap lojë tjetër, atë të krijimit të një shteti të vogël serb brenda territorit të Kosovës.
“E para njëherë jo vetëm që nuk ka Amerikë pas kësaj, por është tërësisht anti-amerikane, sepse synimi kryesor që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe NATO në rajon është stabiliteti. Kjo vetëm stabilitetit nuk i intereson. E para njëherë, Baba Mondi të flejë i qetë sepse kjo nuk ka për të ndodhur se nuk e lejojnë shqiptarët. E dyta ai duhet të ketë kujdes që të mos lejojë as joshjen dhe as shantazhin për tu bërë pjesë e lojërave anti-kombëtare dhe anti-shtetërore të Edi Ramës. E treta ai aty u shpreh se mund të më konsiderojnë të çmendur. Ai jo vetëm që është i çmendur, por është një palaço që përfshihet në këto”, u shpreh ai në TvKlan.
Peka përmendi edhe statusin e ardhshëm të Kishës Serbe në Kosovë.
“Ajo që qëndron pas kësaj është kjo, e para ai do të krijojë precedentin për statusin e ardhshëm të Kishës Serbe në Kosovë. Po të shikosh historikun e përfshirjes së Edi Ramës në Kosovë është e para përfshirja e tij për ndryshimin e kufijve, e dyta për Ballkanin e Hapur që ishte një konfederatë e re jugosllave, e treta futi hundët edhe te statusi i Asociacionit të Komunave serbe dhe tani fut hundët këtu. Tani cila është çështja? Statusi i Kishës Serbe në Kosovë është çështja më delikate për të ardhmen e Kosovës jo vetëm për sot, jo vetëm për dekadat e ardhshme, por edhe për shekujt e ardhshëm. E dyta pas marrëveshjes…
Absolutisht, është lojë më e madhe kjo. Pas marrëveshjes së Brukselit dhe anekseve të Ohrit, statusi definitiv i Kishës Serbe mbetet për tu diskutuar. Ajo që deri sot ka qenë kërkesa maksimale e Serbisë në raport me kishën Serbe në Kosovë ka qenë statusi i ekstraterritorialiteti në Kosovë. Kërkesa maksimale që është bashkëbiseduar ka qenë ekstraterritorialiteti i Kishës Serbe, kjo këtu hap lojë tjetër, hap lojën e një shteti të vogël serb brenda territorit të Kosovës. Nuk ka lidhje fare me bektashinjt. Bektashinjt po përdoren".