Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ka rikujtuar heroin Afrim Bunjaku i cili u vra në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të shtetit.
“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk e harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës” , ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Kryeministri përmendi edhe vendimet e marra një ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ndër të cilat edhe emërimin e rrugës rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”.
Pos kësaj, ai njofton se edhe për vendimet tjera.
“Ndamë 219,000.00€ për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.
-Aprovuam katër Rregullore:
Rregulloren për Vlerësimin e Rezultateve në Punë;
Rregulloren për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknik dhe Mbështetës;
Rregullore për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës;
Rregullore për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil.
-Emëruam kryesuesin e ri të Bordit të Postës së Kosovës dhe Drejtorin Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave”, shkruan ai.