​Kritikat e opozitës ndaj projektligjit për sigurime shëndetësore: Po përdoret për fushatë

Aktuale

​Kritikat e opozitës ndaj projektligjit për sigurime shëndetësore: Po përdoret për fushatë

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 12:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e ka proceduar në seancë për lexim të parë projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Deputetët opozitar projektligjin në fjalë e konsideruan si projektligj të keq e të vonuar, ndërsa ata të pushtetit vlerësuan se ky projektligj i hap rrugë sigurimeve shëndetësore për qytetarët.

Deputetët anëtarë të këtij komisioni nga radhët e opozitës, karshi kritikave, projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor e konsideruan se është përgatitur për tu përdorur për fushatë zgjedhore.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli u shpreh se ky projektligj i ka adresuar mangësitë e ligjit të kaluar për sigurime shëndetësore.

Duke kërkuar mbështetjen edhe të partive opozitare, Avdyli tha se reforma në shëndetësi po merr kahje të një dinamizimi më të madh.

Avdyli: Me këtë ligj po bëjmë hapa përpara drejtë sigurimeve shëndetësore

“Me këtë ligj po bëjmë një hap përpara drejt sigurimeve shëndetësore por ne nuk jemi duke i bërë sigurimet shëndetësore sepse ligji për sigurime shëndetësore që nga viti 2004, ka 20 vite që kemi ligj po nuk kemi sigurime shëndetësore dhe për këtë mendojmë që edhe kem pas raste dhe po vazhdon avazi i ligjeve të pa implementueshme. Prandaj, ky është një plotësim-ndryshim i ligjeve të kaluara dhe besoj ky ligj i ka adresuar të gjitha ato mangësitë që kanë penguar që Kosova që deri sot mos të ketë sigurime shëndetësore.. Kjo është mbipartiake dhe besoj që në këtë drejtim do të ketë kontribut të të gjithë kolegëve sepse ky ligj tejkalon edhe mandatet tona edhe qeverinë dhe besoj që do të jetë një hap përpara”, theksoi Avdyli.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të vonuar projektligjin e për sigurime të detyrueshme shëndetësore.

Duke mos e mbështetur këtë projektligj, Zemaj theksoi se nuk duhet të përdoret për fushatë një projektligj për sigurime shëndetësore.

Zemaj: Nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme

“Nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për sigurime shëndetësore, më shumë mund të themi se është përgatitur për të mbuluar dështimin katër vjeçar të qeverisë në sektorin e shëndetësisë dhe ky ligj nuk mund të improvizohet në fund të mandatit sa për të përmbushur agjendën legjislative se gjëja po e dërgojmë ligjin për sigurime shëndetësore në muajin e fundit të mandatit...06’37Koha nuk është sa për të improvizuar por ne duhet të jemi shumë më serioz jo vetëm të përdorim për fushatë ashtu siç edhe ka të meta nga viti 2014 edhe sot pse ky ligj nuk është i zbatueshëm, duhet të kemi qasje më serioze”, theksoi Zemaj.

Projektligji për sigurimet e detyrueshme të kujdesit shëndetësor nuk mori mbështetje as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj konsideroi se projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës është më i keq se ai i kaluari dhe se premisat janë të dështoi.

Si të tillë, deputeti nga AAK kërkoi që projektligji në fjalë të tërhiqet komplet.

Dreshaj: Projektligj i vonuar dhe vështirë i zbatueshëm në praktik

“Koha që na është sjell ky është e papërshtatshme, është fundi i vitit, është koha ndoshta krejt veprimet tonat do të mbesin në letër dhe nuk do të gjen kurrfarë zbatimi. Parakushtet aktuale që janë është që ky ligj shumë vështirë do ta ketë të përjetësohet në pjesën praktike. Mendimi im është që ky ka ardhur vonë dhe nuk e ka vendin që të amandamentohet. Ky projektligj që është dërguar tek ne nuk është projektligj i ri, por është projektligji i vjetër me 6 amandamentime, intervenimet janë bërë në 6 nene, 4 prej tyre sqarohen dhe dy prej tyre ndërrohen. Nuk bëhet fjalë për ligj të ri dhe nuk janë prekur dy nenet e para që përfshihet TVSH që ndoshta ka qenë dashur të jetë intervenimi kryesor në këtë propozim”, deklaroi deputeti Dreshaj.

E pas këtyre kritikave nga partitë opozitare, ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta i cili tha se nëse pritet funksionalizimit i Sistemit Shëndetësor Informativ do të ketë vonesa pastaj në sigurimet shëndetësore.

Shkreta: Me këtë projektligj themelimi i Fondit bëhet ndryshe

“Funksionalizimi i Fondit nuk është vetëm mungesë e vullnetit politik por edhe shkarje në procedurat ligjore që nga themelimi e deri tek tentativa për funksionalizim. Sot në këtë ligj adresimi dhe mënyra se si adresohet themeli i Fondit është ndryshe nga ligji paraprakë....Nëse ne vazhdojmë presim funksionalizimin e Sistemit Shëndetësor Informativ deri në fund dhe nuk procedojmë paralelisht edhe me ligjin mendoj se do të jemi pengë derisa të funksionalizohet krejt sistemi informativ shëndetësor në jetësimin e sigurimeve shëndetësore”, tha ai.

Kosova që nga viti 2014 ka projektligjin për sigurime shëndetësore, por deri tani ai nuk ka gjetur zbatueshmëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat