IKD: KPK të garantojë transparencë në Draft-rregulloren për kryeprokurorë

Aktuale

IKD: KPK të garantojë transparencë në Draft-rregulloren për kryeprokurorë

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 253-të si pikë të rendit të ditës ka vendosur miratimin e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Përkitazi me Rregulloren në fjalë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dërguar komente në KPK. Duke mirëpritur adresimin e një pjese të komenteve, IKD gjenë se drafti i prezantuar për votim në KPK vazhdon të mos garantojë transparencë të duhur të procesit dhe krijon pabarazi mes anëtarëve të Këshillit, duke mos ndjekur standardet adekuate të miratuara nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës në raport me procesin e emërimit të kryetarëve të gjykatave.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se në komentet e dërguara, IKD rekomandoi detajimin e obligimeve lidhur me transparencën, në mënyrë që proceset për kryeprokurorë të jenë transparente para publikut, kandidatëve për kryeprokurorë dhe stafit të sistemit prokurorial. Një detajim të tillë nuk e përmban drafti që është dërguar për miratim në KPK, i cili përmban vetëm dispozita të përgjithshme në lidhje me transparencën. Dispozita të tilla lënë hapësira të mëdha interpretimi dhe arbitrariteti, të cilat më pastaj kthehen në mungesë transparence, problem ky i vazhdueshëm i këtyre proceseve të KPK-së.

Me qëllim të vlerësimit adekuat të kandidatëve, IKD rekomandoi mundësinë e marrjes së mendimeve apo informatave me karakter këshillëdhënës nga secili prokurorë për secilin kandidat për kryeprokuror. Për dallim nga KGjK, KPK nuk e morri për bazë këtë koment.

Sipas Draft Rregullores së dërguar për miratim, kryesues i Panelit për Vlerësim do të jetë Kryesuesi i KPK-së. IKD në komentet e dhëna ka rekomanduar që KPK të themelojë Panelin Vlerësues dhe me vendim të caktojë edhe kryesuesin e këtij paneli, duke mos përcaktuar që automatikisht Kryesuesi i KPK-së të jetë edhe kryesues i Panelit për Vlerësim. Dhënia e një detyre të tillë paraqet trajtim të pabarabartë mes anëtarëve të KPK dhe Kryesuesit të tij, i cili është “i pari në mesin e barabartëve”. Edhe në këtë rast, KPK nuk morri për bazë rekomandimin e IKD dhe nuk ndjeku linjën e KGjK.

Në anën tjetër, në mbledhjen e sotshme, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit për pagën e anëtarëve jo-prokuror të KPK-së. Lidhur me këtë vendim, IKD i rekomandon KPK-së që të ketë një vëmendje të shtuar, duke respektuar dispozitat dhe parimet ligjore. Vendimi i marrë nga KPK në asnjë mënyrë nuk duhet të shërbejë si dekurajim për anëtarët jo prokurorë të KPK-së. Ky fakt vetëm sa do ta përforconte nivelin e korporatizmit brenda KPK-së, pasi një qasje e cila për anëtarët jo prokuror do të nënkuptohej potencialisht si përjashtuese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat