Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, sot ka bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra një vit më parë nga një grup i armatosur serbësh.
Hargreaves ka thënë se nderoi Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe guximin për të rivendosur rendin më 24 shtator të vitit të kaluar dhe prokurorët për hartimin e aktakuzës.
“I bëj nderime profesionalizmit dhe guximit të Policisë së Kosovës për aksionin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023, dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të durueshme në hartimin e aktakuzës”.
Ai ka shtuar se Britania e Madhe kërkon që autorët e këtij sulmi, përfshirë Radojçiqin, të sillen para drejtësisë.
Hargreaves e ka përsëritur thirrjen që Serbia të marrë masa që kjo të ndodh sa më parë.
“Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë edhe Milan Radojçiqin, të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë që Serbia të ndërmarrë masa që kjo të ndodhë sa më shpejtë që është mundur”.