​Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, flasin banorë dhe policia

Aktuale

​Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, flasin banorë dhe policia

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, situata në këtë fshat është e qetë.

Përveç një dyqani me artikuj ushqimorë që është i hapur dhe dy kafiteri në këtë fshat, gjithçka tjetër sot këtu është e mbyllur, ndërsa mungojnë edhe lëvizjet e qytetarëve.

Dragosllav Markoviq, njëri ndër banorët e këtushëm të rrallë i cili pranoi të flasë para kamerës, u shpreh i lumtur për situatën e qetë në fshat, duke thënë se nuk ka probleme dhe se është për bashkëjetesë me shqiptarët.

Sipas tij, është më mirë dhe më sigurt kur ka prani të policisë, ndërsa ka pranuar se tashmë numri i banorëve të këtushëm ka rënë në raport me një vit më parë. Ai nuk dha ndonjë detaj se ku kanë shkuar ata.

Markoviq: Jam për të jetuar së bashku, për të bërë tregti

"Sinqerisht t'ua them aktualisht nuk ka ndonjë problem... Ekses ka ndodhur, sipas meje kjo si shkak për një lloj shpërngulje... Ka këtu një degë e policisë, më mirë kur ka organe zyrtare, edhe pse nuk ka eksese... Këtë edhe unë e kam vërejtur, më parë ka pasur (qytetarë), tani aty-këtu, blejnë çka ju duhet. Këtu janë por është zvogëluar numri i tyre... Jam i lumtur (me situatën), nuk ka probleme të mëdha. Jam për të jetuar së bashku, për të bërë tregëti”, ka thënë Markoviq.

Ndërsa, Zëvendës ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i ka dënuar homazhet dhe ndezjen e qirinjve për tre terroristët nga ana e disa qytetarëve serbë që kishin ardhur në mënyrë të organizuar në përvjetorin e tyre.

Ai shtoi se shoqëria serbe duhet ta pranoj realitetin dhe t’i pranoj gabimet që i ka bërë historikisht ndaj popujve përreth, e sidomos ndaj shqiptarëve.

Vokrri: Shoqëria serbe ta dënoj ideologjinë e cila i ka lajthitur ata

"Duhet njëherë e përgjithmonë që shoqëria serbe ta pranoj realitetin dhe t’i pranoj gabimet që i ka bërë historikisht ndaj popujve përreth, e sidomos ndaj shqiptarëve dhe në vend se t’i nderoj si heronj terroristët, ta dënoj ideologjinë e cila i ka lajthitur ata”, ka theksuar Vokrri.

Në anën tjetër, zëvendës drejtor i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani situatën e përgjithshme në veri e ka quajtur më të sigurt se ndonjëherë më parë.

Ai tha se Afrim Bunjaku dha jetën për një Kosovë më të mirë, veri më të sigurt dhe që kolegët e tij sot të kenë mundësi të veprojnë në këtë pjesë më shumë se kurrë më parë.

Elshani: Policia kanë mundësi të veprojnë në veri më shumë se kurrë më parë

"Afrimi ka rënë këtu dëshmor për me pa ne një vend më të mirë sesa që e ka lënë. Veriu i vendit është më i sigurt, policia e Kosovës, kolegët e tij janë në krejt veriun e vendit. Tash ne kemi mundësi të reagojmë, veprojmë e punojmë në veriun e vendit më shumë se asnjëherë më herët”, ka vijuar ai.

Ndryshe, para pak ditësh, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave të grupit terrorist, me në krye me Milan Radoiçiqin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat