Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli e ka cilësuar shpëtim për Kosovën vdekjen në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas Dugollit, Bunjaku ishte “krushku i parë” që e detektoi dhe çmontoi planin dhe agresionin e Serbisë në Banjskë përmes bandave terroriste.
“Ai jo vetëm që ka pasur fjalë por ai ato deklarata i ka shndërruar edhe në vepra, për shkak se vdekja e tij, rënia e tij në krye të detyrës ka qenë shpëtim për Kosovën, sepse në njëfarë forme gjithë ai plan i Serbisë, një agresion tipik përmes këtyre bandave terroriste u çmontua edhe dështoj. Ky ishte nismëtari pra, ose si të them krushku i parë që edhe e detektoi por edhe e pagoi me jetë. Pra, burra si Afrimi fatbardhësisht ky vend ka pasur, ka edhe do të ketë në vazhdimësi, për shkak se ashtu siç e ka thënë edhe heroi Afrimi, ne nuk kemi tjetër vend, nuk kemi tjetër tokë, këtë e kemi dhe këtë do ta mbrojmë edhe me çmimin e jetës”, ka thënë Dugolli.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ndërsa, prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në mesin e tyre edhe ndaj Milan Radoiçiq.