Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca fillestare për rastin Banjska.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, u shpreh se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurve, përfshirë dhe tre te pranishmëve në seancë, që gjendeshin në masë të paraburgimit, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq.
Abazi tha se gjatë hetimit nuk ka qenë e mundur të sigurohet prezenca e të dyshuarve të tjerë të sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Megjithatë, lejohet që aktakuza të ngrihet dhe të vijojë edhe pa prezencën e tyre, me këtë rast, të mbahet edhe gjykimi.
Abazi u shpreh se mbi të pandehurit prezent rëndon vepra penale “Kryerje e veprave terroriste” ku në kuadër të kësaj vepre është paraparë edhe vepra penale “Vrasje e rëndë”.
“Konsiderojmë se ky gjykim mund të mbahet në mungesë të tyre. Ne konsiderojmë se gjykata ka mundësi, dhe duhet të shqyrtohet kjo mundësi, që ky gjykim të mbahet në mungesë të prezencës së të pandehurve” tha Abazi.
Avokati mbrojtës i njërit nga të dyshuarve tha se një gjykim i tillë është i pamundur dhe për këtë nuk ekzistojnë supozime, por që e lë në dorë të gjykatës vendimin.
Ndërkaq avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, tha se ky rast është i rëndë, është specifik, dhe se rasti që do të duhej të konsiderohej si i rëndomtë, në fakt ka 45 të pandehur.
Koci u shpreh se në sulm u vra në detyrë një ish-rreshter i Policisë dhe se rasti ka ndikuar jo vetëm familjen që ai përfaqëson, por edhe më gjerë.
Gjykata ka bërë shqyrtimin paraprak dhe, duke marrë propozimin e Prokurorisë Speciale dhe të dyshuarve palëve, dhe se ka shqyrtuar gjykimin në mungesë.
Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë, konsideron se interpretimi gramatikor apo gjuhësor i këtyre dispozitave nuk është i mjaftueshëm dhe krijon paqartësi.
Prandaj, Gjykata do të kërkojë nga Gjykata Supreme të marrë mendim juridik dhe të interpretojë në kontekstin më të gjerë të ligjit, ku do të kërkojë nëse mund të vijojë gjykimi i rastit pa prezencën e të pandehurve të tjerë.
Ndaj të pandehurve në këtë masë do të procedohet ndaras procesi gjyqësor, deri në lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar.
Ky aktvendim u interpretua nga gjyqtari i rastit, Arben Hoti.