Rasti “Banjska”: Shtyhet seanca, kjo është arsyeja

Aktuale

Rasti “Banjska”: Shtyhet seanca, kjo është arsyeja

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 10:47 më 25.09.2024
Pamje nga seanca

Rasti “Banjska”: Shtyhet seanca për dy javë

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë tre nga 45 të dyshuarit që sot u sollën përpara Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën fillestare të rastit të Banjskës.

Gjyqtari i rastit, Arben Hoti, deklaroi se do të procedohet rasti në mënyrë ndaras, teksa më pas verifikoi të dhënat e të të pandehurve.

Avokatët mbrojtës të tre të pandehurve deklaruan se pranuan shkresat në formë elektronike dhe se të njëjtat i duan në formë fizike, duke kërkuar qe seanca të shtyhet pasi sipas tyre, nuk mund të vijojë kësisoj. 

Fillimisht, pProkuroria deklaroi se nuk është e arsyeshme të shtyhet seanca, duke marrë parasysh tendencën për të zvarritur këtë proces.

Megjithatë, gjyqtari i rastit, u dha kohë të pandehurve dhe avokatëve të tyre për të lexuar aktakuzën dhe shqyrtuar pranimin e fajësisë.

Për këtë arsye, seanca u shtye për 9 tetor, në ora 09:30.

Nis seanca e rastit Banjska: Prokurori kërkon të vazhdohet procedura ndërsa avokatët kundërshtojnë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca fillestare për rastin Banjska.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, u shpreh se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurve, përfshirë dhe tre te pranishmëve në seancë, që gjendeshin në masë të paraburgimit, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq.

Abazi tha se gjatë hetimit nuk ka qenë e mundur të sigurohet prezenca e të dyshuarve të tjerë të sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Megjithatë, lejohet që aktakuza të ngrihet dhe të vijojë edhe pa prezencën e tyre, me këtë rast, të mbahet edhe gjykimi.

Abazi u shpreh se mbi të pandehurit prezent rëndon vepra penale “Kryerje e veprave terroriste” ku në kuadër të kësaj vepre është paraparë edhe vepra penale “Vrasje e rëndë”. 

“Konsiderojmë se ky gjykim mund të mbahet në mungesë të tyre. Ne konsiderojmë se gjykata ka mundësi, dhe duhet të shqyrtohet kjo mundësi, që ky gjykim të mbahet në mungesë të prezencës së të pandehurve” tha Abazi.

Avokati mbrojtës i njërit nga të dyshuarve tha se një gjykim i tillë është i pamundur dhe për këtë nuk ekzistojnë supozime, por që e lë në dorë të gjykatës vendimin.

Ndërkaq avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, tha se ky rast është i rëndë, është specifik, dhe se rasti që do të duhej të konsiderohej si i rëndomtë, në fakt ka 45 të pandehur.

Koci u shpreh se në sulm u vra në detyrë një ish-rreshter i Policisë dhe se rasti ka ndikuar jo vetëm familjen që ai përfaqëson, por edhe më gjerë.

Gjykata ka bërë shqyrtimin paraprak dhe, duke marrë propozimin e Prokurorisë Speciale dhe të dyshuarve palëve, dhe se ka shqyrtuar gjykimin në mungesë.

Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë, konsideron se interpretimi gramatikor apo gjuhësor i këtyre dispozitave nuk është i mjaftueshëm dhe krijon paqartësi.

Prandaj, Gjykata do të kërkojë nga Gjykata Supreme të marrë mendim juridik dhe të interpretojë në kontekstin më të gjerë të ligjit, ku do të kërkojë nëse mund të vijojë gjykimi i rastit pa prezencën e të pandehurve të tjerë.

Ndaj të pandehurve në këtë masë do të procedohet ndaras procesi gjyqësor, deri në lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar.

Ky aktvendim u interpretua nga gjyqtari i rastit, Arben Hoti.

Në gjykatë sillen tre të dyshuarit për sulmin në Banjskë, pas pak nis seanca

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë, që la të vdekur ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sot po mbahet seancë fillestare.

Nën masa të rrepta sigurie, tre nga 45 të dyshuarit për këtë krim u sollën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë tre të dyshuarit që prej 24, përkatësisht 25 shtatorit gjenden në masë të paraburgimit.

 

Mbërrijnë në gjykatë të dyshuarit

Sot mbahet seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi terrorist ishte organizuar nga një grup serbësh, ku organizator dhe pjesëmarrës ishte ish-nënkryetari i Listës serbe, Milan Radoiçiq, person ky i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E pak para se të bëhet një vit nga sulmi terrorist, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave, ndërkaq ata akuzohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarje e parave”.

Të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq janë: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.

Nga aq sa dihet deri tani, nga këta 45 të akuzuar, vetëm tre prej tyre janë arrestuar nga autoritetet e Kosovës dhe ata janë Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të njëjtit janë në paraburgim.

Sot mbahet seanca fillestare për sulmin terrorist në Banjskë

Sot do të mbahet seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Iu njoftojmë se seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë do të mbahet më 25 shtator, 2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit për median.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndër të tjerash, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiqin, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat