Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen në fshatin Sadovinë e Çerkezëve

Aktuale

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen në fshatin Sadovinë e Çerkezëve

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

Për shkak se mbrojtësja e të akuzuarit Besmir Ismajli, avokatja Kosovare Kelmendi nuk ishte mirë me shëndet, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Në këtë rast, Fisnik, Samet, Besmir, Ismet dhe Hizri Ismajli, akuzohen për rastin e vrasjes së M.I., në maj të vitit 2019 në fshatin Sadovinë e Çerkezëve në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Samet Ismajli, avokati Kujtim Kërveshi propozoi që seanca e sotme të shtyhet për shkak se avokatja Kelmendi nuk është mirë me shëndet dhe nuk mund të vazhdojë ta marrë në pyetje dëshmitarin.

Andaj, seanca e sotme u shty, ndërsa në të radhës pritet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit Korab Alidema, i cili dëshminë e kishte filluar më 18 shtator 2024.

Gjithashtu, në këtë seancë munguan të dëmtuarit dhe përfaqësuesi i tyre, si dhe disa dëshmitarë.

Në këtë seancë ishte planifikuar të shikoheshin video-incizimet nga vendi i ngjarjes në ditën kritike dhe të vazhdohej të dëgjohej dëshmitari Alidema.

Më 21 mars 2022, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte dënuar Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajlin, me 71 vite burgim (së bashku). Kurse, Edmond Ismajli ishte liruar nga akuza.

Gjykata e Apelit ua kishte zbutur dënimin në 60 vjet burgim. Por shkalla e tretë, e kishte kthyer lëndën në pikën zero për pesë të akuzuarit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Në këtë drejtim, sipas prokurorisë, të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri me tre vite burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat